Testi 30-sekondësh që mund të zbulojë shumë për shëndetin tuaj, ja si ta provoni në shtëpi

Testi 30-sekondësh që mund të zbulojë shumë për shëndetin tuaj, ja si ta provoni në shtëpi

Written by

in

Testi 30-sekondësh që mund të zbulojë shumë për shëndetin tuaj, ja si ta provoni në shtëpi

Një test i thjeshtë që zgjat vetëm 30 sekonda mund të japë të dhëna të rëndësishme për gjendjen tuaj shëndetësore, duke përfshirë forcën muskulore, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë fizike.

Bëhet fjalë për testin ulje-ngritje nga karrigia (Sit-to-Stand Test), i cili mat numrin e herëve që një person arrin të ngrihet plotësisht në këmbë dhe të ulet përsëri brenda 30 sekondave.

Ky test përdoret nga mjekët, veçanërisht gjatë vlerësimit të personave mbi moshën 60-vjeçare, për të identifikuar probleme të mundshme shëndetësore. Megjithatë, ai mund të realizohet lehtësisht edhe në kushte shtëpie.

Sipas Jugdeep Dhesi, mjek specialist i geriatrikës në Guy’s and St Thomas’ NHS Foundation Trust dhe profesor në King’s College London, testi ofron informacione të rëndësishme për mënyrën se si funksionon trupi.

Ai ndihmon në vlerësimin e forcës muskulore, ekuilibrit dhe fleksibilitetit, ndërsa studimet sugjerojnë se rezultatet mund të ndihmojnë në identifikimin e personave që kanë rrezik më të lartë për rrëzime, probleme kardiovaskulare dhe rezultate më të pafavorshme shëndetësore.

Si realizohet testi në shtëpi?

Për ta kryer këtë test ju nevojitet vetëm një karrige me shpinore të drejtë, pa mbështetëse për duart, si dhe një kronometër ose telefoni me funksionin e matjes së kohës.

Fillimisht, uluni në mes të karriges dhe kryqëzoni krahët, duke vendosur secilën dorë mbi shpatullën e kundërt. Mbajeni shpinën drejt dhe këmbët të mbështetura në dysheme.

Pasi të nisni kronometrin, ngrihuni plotësisht në këmbë dhe më pas uluni përsëri. Përsëriteni këtë veprim për 30 sekonda dhe numëroni sa herë arrini të ngriheni plotësisht.

Sa është rezultati mesatar sipas moshës?

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) kanë përcaktuar rezultatet mesatare të testit për grupmosha të ndryshme. Një rezultat më i ulët se mesatarja mund të tregojë rrezik më të madh për probleme shëndetësore, përfshirë rrëzimet.

Rezultatet mesatare për 30 sekonda janë:

Grupmosha: Burrat-Gratë

60–64 vjeç 14 12
65–69 vjeç 12 11
70–74 vjeç 12 10
75–79 vjeç 11 10
80–84 vjeç 10 9
85–89 vjeç 8 8
90–94 vjeç 7 4

Megjithatë, këto rezultate nuk marrin parasysh historinë individuale shëndetësore të secilit person, siç janë ndërhyrjet e fundit kirurgjikale apo lëndimet që mund të ndikojnë në aftësinë për të kryer testin.

Edhe pse përdoret kryesisht te personat mbi 60 vjeç, testi mund të jetë i dobishëm edhe për të rinjtë, pasi ndihmon në vlerësimin e formës fizike, veçanërisht të forcës dhe qëndrueshmërisë së muskujve të pjesës së poshtme të trupit.

Në një studim të realizuar në Zvicër, ku morën pjesë rreth 7 mijë të rritur, studiuesit analizuan rezultatet e testit. Te personat e moshës 20 deri në 24 vjeç, mesatarja ishte 50 ngritje në minutë për burrat dhe 47 për gratë. Disa pjesëmarrës arritën të kryenin deri në 72 përsëritje brenda një minute.

Një studim tjetër, i realizuar te persona të shëndetshëm me moshë mesatare 21-vjeçare, gjeti një lidhje të fortë ndërmjet rezultateve të këtij testi dhe një metode tjetër të vlerësimit të kapacitetit aerobik dhe qëndrueshmërisë fizike.

Rezultatet mund të tregojnë edhe rrezikun për probleme shëndetësore

Hulumtimet tregojnë se performanca në këtë test mund t’u japë mjekëve informacione të rëndësishme për gjendjen e përgjithshme shëndetësore të një personi.

Një rezultat i ulët mund të ndihmojë në identifikimin e personave që kanë rrezik më të madh për rezultate të pafavorshme pas ndërhyrjeve kirurgjikale apo trajtimeve kundër kancerit.

Gjithashtu, rezultatet e dobëta mund të tregojnë se zemra dhe mushkëritë nuk po funksionojnë në mënyrën më të mirë, duke rritur rrezikun për probleme serioze kardiovaskulare, si sulmi në zemër, goditja në tru dhe pamjaftueshmëria e zemrës.

Sipas CDC-së, personat që arrijnë rezultate më të ulëta se mesatarja për grupmoshën e tyre kanë gjithashtu rrezik më të lartë për rrëzime.

Dhesi thekson se ruajtja e forcës muskulore, ekuilibrit, fleksibilitetit dhe shëndetit kardiovaskular është thelbësore për parandalimin e tyre.

Rreth 30 për qind e personave mbi moshën 65-vjeçare pësojnë të paktën një rrëzim gjatë vitit, ndërsa kjo përqindje arrin rreth 50 për qind te personat mbi 80 vjeç.

Pas një rrëzimi, shumë persona zhvillojnë frikë nga përsëritja e tij, gjë që mund t’i bëjë më pak aktivë, t’i kufizojë në daljet nga shtëpia dhe të çojë deri te izolimi social.

Përveç lëndimeve të lehta, rrëzimet mund të shkaktojnë edhe dëmtime serioze, siç janë frakturat e ijeve. Në SHBA, më shumë se 300 mijë persona pësojnë fraktura të ijeve çdo vit, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar regjistrohen rreth 70 mijë raste të tilla në vit.

Sipas të dhënave të cituara nga Dhesi, rreth 30 për qind e personave që pësojnë frakturë të ijeve në Mbretërinë e Bashkuar vdesin brenda një viti nga lëndimi.

Një studim i vitit 2012 ka gjetur gjithashtu se një variant i testit ulje-ngritje mund të jetë tregues i rëndësishëm i rrezikut të vdekshmërisë te personat e moshës 51 deri në 80 vjeç. Sipas studimit, personat me rezultate më të dobëta kishin pesë deri në gjashtë herë më shumë gjasa të vdisnin gjatë një periudhe gjashtëvjeçare, krahasuar me ata që kishin rezultatet më të larta.

Megjithatë, Dhesi thekson se këto teste nuk mund të parashikojnë se sa gjatë do të jetojë një person. Ato shërbejnë si tregues për identifikimin e problemeve të mundshme dhe për ndërmarrjen e masave që mund të përmirësojnë shëndetin, cilësinë e jetës dhe pavarësinë e individëve.

Si mund ta përmirësoni rezultatin në këtë test?

Sipas Dhesi, mënyra më e mirë për të përmirësuar rezultatin është të qëndroni sa më aktivë dhe të ruani lëvizshmërinë fizike.

Personat që kanë vështirësi në lëvizje mund të fillojnë me ushtrime në pozicion ulur, të cilat ndihmojnë në forcimin e muskujve. Më pas, mund të provojnë të ngrihen nga karrigia rreth pesë herë çdo një ose dy orë.

Nëse gjendja fizike ua mundëson, edhe ecja brenda shtëpisë dhe ngjitja e zbritja e shkallëve të paktën tri deri në katër herë në ditë mund të sjellin përmirësime.

Specialisti këshillon që njerëzit të vazhdojnë t’i përdorin muskujt e këmbëve përmes aktiviteteve të përditshme, në mënyrë që të ruajnë ekuilibrin dhe pavarësinë fizike.

Ai rekomandon gjithashtu pjesëmarrjen në aktivitete dhe klasa të ushtrimeve fizike, nëse kjo është e mundur. Përveç përfitimeve fizike, këto aktivitete ofrojnë edhe mundësi për shoqërim, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në moshë të shtyrë.

Ndër këshillat e tjera përfshihen kryerja e punëve të shtëpisë, shmangia e qëndrimit të gjatë ulur, ngritja dhe shtrirja pas periudhave të gjata pa lëvizur, ecja deri te dyqani në vend të përdorimit të veturës dhe kujdesi për kopshtin.

Për personat që kanë nipër e mbesa, edhe loja me ta, përfshirë uljen në dysheme dhe ngritjen përsëri, mund të ndihmojë në ruajtjen e forcës dhe lëvizshmërisë.

Sipas specialistit, aktiviteti i rregullt fizik është një nga mënyrat më të mira për të ruajtur shëndetin, për të parandaluar rrëzimet dhe për të mbetur të pavarur sa më gjatë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali