
Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në fshatin Pjetërshan të Gjakovës, ndërsa një 57-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se ka shtënë ndaj tyre me kallashnikov. Të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të martën, më 10 nëntor, rreth orës 16:30, ndërsa Policia është njoftuar pasi dy persona, të dyshuar si të plagosur me armë zjarri, kishin kërkuar ndihmë në Emergjencën e qytetit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, të plagosurit janë Pashk Lazri, rreth 72-vjeçar dhe Hil Lazri rreth 54-vjeçar, ndërsa i dyshuari për plagosjen e tyre është Sokol Lazri rreth 57-vjeçar.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetuesit, të cilët kanë arrestuar të dyshuarin.
Gjatë ndërhyrjes është sekuestruar edhe një armë automatike AK-47, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Hetimet kanë çuar edhe në sekuestrimin e një arme tjetër. Bashkëshortja e të dyshuarit, e cila është trajtuar në cilësinë e dëshmitares, ua ka dorëzuar zyrtarëve policorë një pushkë gjuetie në pronësi të bashkëshortit të saj, së bashku me 10 fishekë të kalibrit 12 GA.
Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë marrë përgjegjësinë për trajtimin e rastit.
Pas konsultimit me Prokurorinë, është iniciuar procedura penale për veprat “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është arrestuar dhe pritet të intervistohet nga hetuesit rajonalë, ndërsa motivi dhe rrethanat e të shtënave mbeten për t’u sqaruar gjatë hetimeve.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali