
Tre shtetas janë shpallur fajtorë dhe dënuar me nga nëntë muaj burgim secili, pasi akuzohen se shisnin në mënyrë të paligjshme paketa televizive përmes pajisjeve dekoder dhe aplikacioneve që mundësonin aksesin në kanalet e platformave Digitalb, Tring dhe paketa të tjera ndërkombëtare.
Hetimet nisën në vitin 2023, pas kallëzimit të kompanisë Digitalb pranë Prokurorisë së Tiranës. Kompania denoncoi se subjekte të ndryshme përdornin rrjetet sociale për të shitur paketa televizive, duke pretenduar se dispononin të drejtat për transmetimin e kanaleve, ndërkohë që nuk kishin licencë nga operatorët përkatës.
Nga hetimet, të cilat përfshinë edhe blerje të simuluara të pajisjeve dekoder, u identifikuan tre subjektet që ushtronin këtë aktivitet, shkruan Albanian Post, transmeton Klankosova.tv.
Bëhet fjalë për subjektin “FRA SYSTEM IPTV”, në pronësi të shtetasit F.Ç., i cili shiste paketat televizive për 79 euro; “Elektronika Shop”, në pronësi të E.Xh., që reklamonte dhe shiste paketa përmes Facebook-ut me çmimin 4 mijë lekë, duke i dërguar pajisjet me korrierë privatë; si dhe “4K Server” (Kanale.al), në pronësi të A.S., që kryente shitjet përmes Instagram-it.
Sipas Prokurorisë, të tre të pandehurit kishin instaluar në pajisjet elektronike që u shpërndanin klientëve aplikacione të posaçme, të cilat mundësonin hapjen dhe shikimin e kanaleve televizive me pagesë, pa autorizimin e operatorëve që zotërojnë të drejtat e transmetimit.
Hetimet zbuluan se përmes këtyre pajisjeve anashkaloheshin sistemet e mbrojtjes dhe kontrollit të aksesit të platformave televizive, duke mundësuar shpërndarjen e përmbajtjeve të koduara te përdorues të paautorizuar.
Prokuroria vlerësoi se kjo veprimtari ishte kryer me qëllim përfitimin ekonomik, duke shmangur licencimin dhe pagesat ndaj kompanive që ofrojnë ligjërisht shërbimet televizive.
Në përfundim të gjykimit, tre të pandehurit u shpallën fajtorë për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, të parashikuar nga neni 143/b, pika 1, i Kodit Penal, dhe u dënuan me nga nëntë muaj burgim secili.