Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra, pasi një automjet i dyshuar ishte vërejtur duke hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në Kosovë.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është identifikuar nga Njësia e Task Forcës – Jug, gjatë aktiviteteve operative për luftimin e kontrabandës.
Pas ndalimit dhe kontrollit të automjetit, zyrtarët kanë gjetur mallra për të cilat nuk janë paraqitur dokumentet përkatëse që dëshmojnë prejardhjen dhe importin e ligjshëm.
“Janë gjetur mallra për të cilat nuk janë paraqitur dokumentet përkatëse që dëshmojnë prejardhjen dhe importin e tyre të ligjshëm”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Automjeti dhe mallrat e gjetura janë sekuestruar, ndërsa rasti do të trajtohet sipas procedurave ligjore dhe administrative në fuqi.
Dogana ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, do të vazhdojë angazhimin për parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit. /Telegrafi/