Barcelona po shqyrton mundësinë e përforcimit të krahut të majtë të mbrojtjes gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa në listën e dëshirave të drejtuesve katalunas është shfaqur një emër që aktualisht luan në Ligën Premier.
Bëhet fjalë për Rayan Ait-Nouri, mbrojtësin e majtë 25-vjeçar të Manchester Cityt, i cili mund të bëhet objektiv konkret i Barcelonës nëse Alejandro Balde largohet nga klubi gjatë afatit kalimtar dimëror.
Si Deco ashtu edhe trajneri Hansi Flick e vlerësojnë profilin e futbollistit algjerian, i cili mund të luajë edhe si mbrojtës krahu.
E ardhmja e Baldes pritet të jetë vendimtare për planet e Barcelonës në këtë repart. Në rast të largimit të tij në janar, katalunasit do të detyroheshin të gjenin një zëvendësues për pjesën e dytë të sezonit, ndërsa Ait-Nouri shihet si një alternativë që përputhet me kërkesat e klubit.
Algjeriani ishte ndjekur nga afër nga drejtuesit e Barcelonës edhe para transferimit të tij në Angli. Ai shquhet për aftësitë teknike, depërtimet me top dhe kontributin në fazën ofensive, elemente që vlerësohen shumë në sistemin e lojës së Flickut.
Ait-Nouri iu bashkua Manchester Cityt në verën e vitit 2025, nga Wolverhamptoni, për rreth 36 milionë euro. Ai ka kontratë me klubin anglez deri në qershor të vitit 2030, por situata e tij sportive nuk ka qenë aspak e favorshme këtë sezon.
Mbrojtësi ende nuk ka regjistruar asnjë minutë në Ligën Premier 2026/27, ndërsa është aktivizuar vetëm në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Ligës.
Mungesa e tij në listën e lojtarëve për ndeshjen ndaj Nottingham Forestit, më 7 nëntor, ka shtuar zërat për një largim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të janarit.
Megjithatë, realizimi i këtij transferimi nuk do të jetë i lehtë për Barcelonën. Manchester City është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e huazimit të futbollistit, por kërkon që marrëveshja të përfshijë edhe detyrimin për blerjen e tij në fund të huazimit.
Një kërkesë e tillë kishte penguar edhe Manchester Unitedin që të vazhdonte negociatat për Ait-Nourin në fund të afatit kalimtar të verës së vitit 2026.
Klubi nga ‘Old Traffordi’ kishte shfaqur interesim për të, por ishte tërhequr pasi City kishte insistuar që huazimi të shoqërohej me një obligim për blerje.
Kjo është pikërisht ajo që mund ta vështirësojë marrëveshjen me Barcelonën, pasi drejtuesit katalunas dëshirojnë të shmangin një investim të madh të garantuar që në këtë fazë.
Për këtë arsye, gjithçka do të varet edhe nga gatishmëria e Manchester Cityt për të ndryshuar kushtet e tij.
Përveç Barcelonës, interesim për situatën e mbrojtësit kanë shfaqur edhe Manchester Unitedi dhe Juventusi, të cilët po e monitorojnë mundësinë e transferimit të tij.
Një element tjetër që mund të ndikojë në këtë çështje është agjenti i futbollistit, Ali Barat, i cili ka kontakte të drejtpërdrejta me drejtorin sportiv të Barcelonës, Decos. Të dy kanë zhvilluar takime në Barcelonë gjatë muajve të fundit për çështje të ndryshme të afatit kalimtar.
Për momentin, katalunasit pritet të qartësojnë fillimisht të ardhmen e Alejandro Baldes. Nëse mbrojtësi largohet, Ait-Nouri mund të shndërrohet në një nga objektivat kryesorë të Barcelonës për afatin kalimtar të janarit. /Telegrafi/