Ford ka dhënë sinjalet e para për rikthimin e një prej emrave më të njohur në historinë e veturave sportive amerikane, Mustang Cobra.
Në një video të shkurtër të publikuar nga Ford Racing në platformën X, kompania premton një model të ri me “zemër atmosferike të lindur nga garat”, duke lënë të kuptohet se Cobra e re do të fokusohet në performancën e motorëve pa turbo apo supermbushës.
Videoja nuk zbulon shumë detaje për modelin, por Ford ka konfirmuar se historia e tij do të vazhdojë në vitin 2027. Kjo sugjeron se prezantimi i plotë dhe publikimi i të dhënave teknike mund të bëhen vitin e ardhshëm.
Emri Cobra ka një histori të rëndësishme për Ford-in. Herën e fundit ishte përdorur te modelet Mustang SVT Cobra me supermbushës, si dhe te versionet e epokës Shelby, përfshirë modelin e famshëm Terminator Cobra të fillimit të viteve 2000.
Ende nuk dihet nëse Mustang Cobra e vitit 2027 do të jetë një model më vete, një edicion i veçantë i Mustang-ut apo një version i pozicionuar mbi modelin aktual Dark Horse, transmeton Telegrafi.
Sipas raportimeve të fundit, modeli i ri mund të pajiset me një motor V8 atmosferik, transmision manual dhe fuqi prej më shumë se 600 kuajfuqish.
Rikthimi te një motor atmosferik pritet të tërheqë vëmendjen e entuziastëve të veturave sportive. Megjithatë, detajet e plota do të bëhen të ditura vetëm me prezantimin e Mustang Cobra-s së re, që pritet të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm. /Telegrafi/