Sekretari amerikan i Thesarit zhvendoset në një bazë ushtarake pas kërcënimeve iraniane ndaj jetës së tij

Sekretari amerikan i Thesarit zhvendoset në një bazë ushtarake pas kërcënimeve iraniane ndaj jetës së tij

Written by

in

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, është zhvendosur së fundmi nga rezidenca e tij në Washington në një bazë ushtarake amerikane, pas kërcënimeve iraniane ndaj jetës së tij, kanë bërë të ditur të martën dy persona të njohur me këtë çështje.

Lajmi u raportua fillimisht nga The New York Times. Ndërkohë, një zyrtar i lartë i inteligjencës në administratën Trump kishte paralajmëruar në një memorandum, të cilin Reuters e kishte parë në fund të muajit të kaluar, se planet iraniane kundër personelit dhe qytetarëve amerikanë kishin arritur në një fazë të avancuar.

Bessent ka udhëhequr që nga gushti fushatën amerikane të sanksioneve dhe presionit ekonomik ndaj Iranit, të njohur si “Operation Economic Outcast”. Qëllimi i saj është ta detyrojë Teheranin t’i japë fund sulmeve ndaj transportit detar dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit.

Kjo rrugë ujore me rëndësi strategjike ka mbetur kryesisht e mbyllur që nga sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, transmeton Telegrafi.

Fushata e presionit ekonomik, e cila zhvillohet paralelisht me bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane, përfshin sanksione ndaj degëve të bankave në Lindjen e Mesme dhe kompanive të tjera financiare që lehtësojnë transaksionet me Iranin.

“Sekretari nuk do të frikësohet nga kërcënimet e regjimit iranian dhe mbetet i përkushtuar në zbatimin e ‘Operation Economic Outcast’ dhe vazhdimin e bllokadës, të cilat së bashku po e çojnë ekonominë e Iranit drejt kolapsit”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit amerikan të Thesarit në një përgjigje me shkrim.

Sipas The New York Times, shkalla e saktë e kërcënimeve ndaj Bessentit nuk është bërë menjëherë e qartë.

Një burim i njohur me këtë çështje tha se shqetësimet për sigurinë e sekretarit u shtuan pasi The Wall Street Journal publikoi një fotografi ajrore të rezidencës së tij në lagjen Georgetown të Washingtonit. Bessent e kishte blerë këtë pronë për 12.5 milionë dollarë, pak kohë pas konfirmimit të tij në detyrën e sekretarit të Thesarit, në janar të vitit 2025.

Fotografia mundësoi identifikimin e saktë të vendndodhjes së shtëpisë, pas së cilës Bessent u zhvendos në një bazë ushtarake për arsye sigurie.

“Mediet kanë detyrimin të veprojnë me përgjegjësi në një kohë kur kërcënimet ndaj zyrtarëve publikë janë në rritje”, tha burimi.

Irani më herët ka mohuar se po planifikon sulme ndaj zyrtarëve apo personave në territorin amerikan.

Ndërkohë, sipas The New York Times, zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se aftësitë e Iranit për të organizuar sulme në shkallë të gjerë në SHBA dhe në territore të tjera jashtë vendit janë të kufizuara.

Gjatë luftës, sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe ato izraelite ndaj Libanit kanë shkaktuar mijëra viktima dhe kanë detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sulmet amerikane dhe izraelite kanë vrarë gjithashtu zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë udhëheqësin e ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei. /Telegrafi/