Ka përfunduar projekti i rikonstruimit të rrugës Lamë–Kllokoq në komunën e Artanës, e cila tashmë është plotësisht funksionale.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, rruga ka gjatësi prej 3.4 kilometrash, ndërsa realizimi i projektit ka kushtuar 688 mijë euro.
Punimet kanë përfshirë rikonstruimin e plotë të rrugës, asfaltimin me dy shtresa, rregullimin e sistemit të kullimit të ujërave, vendosjen e pahive mbrojtëse dhe sinjalizimin rrugor.
Ministria ka bërë të ditur se përfundimi i këtij investimi do të ofrojë kushte më të mira dhe siguri më të lartë për banorët dhe të gjithë shfrytëzuesit e kësaj rruge.
MIT ka theksuar se do të vazhdojë investimet në zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë vendin. /Telegrafi/