Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, arrestimi është realizuar në rajonin e Gjilanit, pas hetimeve të zhvilluara nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Pas ndalimit të të dyshuarit, automjeti me të cilin ai po udhëtonte është dërguar për kontroll dhe skanim të mëtejshëm. Gjatë këtij procesi janë zbuluar dhe sekuestruar 43 armë të gjata automatike.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ai dyshohet për dy vepra penale: pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, si dhe import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse.
Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, përfshirë verifikimin e origjinës dhe destinacionit të armëve të sekuestruara.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se do ta informojnë publikun për zhvillimet e mëtejshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe pa cenuar integritetin e hetimit.
Burimi: RTKLive
