Murati prezanton projektbuxhetin 4.2 miliardë euro për 2027, opozita e kritikon

Murati prezanton projektbuxhetin 4.2 miliardë euro për 2027, opozita e kritikon

Written by

in

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar para Komisionit projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh.

Sipas Muratit, buxheti është hartuar duke marrë parasysh pritjet për rritje ekonomike, shtimin e të hyrave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike.

Ai bëri të ditur se të hyrat buxhetore parashihen të arrijnë në rreth 4 miliardë e 2 milionë euro, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve do të mbulohet përmes financimit të deficitit.

“Bëhet fjalë për një buxhet prej 4 miliardë e 268.7 milionë euro në anën e shpenzimeve buxhetore”, deklaroi Murati.

Deficiti buxhetor për vitin 2027 është planifikuar në nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, i cili vlerësohet në 13.3 miliardë euro. Nevoja për financim, sipas ministrit, arrin në 266 milionë euro.

Sa i përket ndarjeve sipas kategorive ekonomike, për paga dhe mëditje janë planifikuar 1 miliard e 84.9 milionë euro, për mallra dhe shërbime 588 milionë euro, ndërsa për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro.

Për investime kapitale janë paraparë 1 miliard e 70 milionë euro, ndërsa 55 milionë euro janë ndarë për pagesën e interesit të borxhit publik dhe 11.9 milionë euro për rezervën rrjedhëse.

Murati theksoi se nga viti 2027 investimet kapitale nuk do të financohen më përmes klauzolës së investimeve, por do të përfshihen brenda kufirit të deficitit prej 2 për qind.

“E gjithë shuma e investimeve kapitale të parapara është e financuar nga granti buxhetor, por edhe nga deficiti, dhe e gjitha pra përfshihet në kuadër të 2% deficitit të paraparë sipas rregullës fiskale”, tha ai.

Opozita kritikon nivelin e realizimit të investimeve

Gjatë diskutimit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ngriti shqetësime për realizimin e investimeve kapitale, duke argumentuar se planifikimi i shumave të mëdha nuk është shoqëruar me shpenzimin e tyre në praktikë.

Ai iu referua raportit të Institutit GAP për periudhën 2021-2024, sipas të cilit mbi një miliard euro nga investimet e planifikuara nuk janë shpenzuar.

“Madje në disa raporte, siç është ai raporti i GAP-it 2021-2024, mbi 1 miliard euro nuk janë shpenzuar në investimet e planifikuara”, deklaroi Lushtaku.

Sipas tij, mosrealizimi i projekteve ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, duke përmendur mungesën e rrugëve, urave, shkollave dhe objekteve të tjera publike.

Lushtaku gjithashtu vuri në pikëpyetje ndikimin real të rritjes nominale të buxhetit në mirëqenien e qytetarëve, duke e lidhur këtë me inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës.

Ai përmendi edhe dallimin prej rreth 258 milionë eurosh ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara.

Murati: Mosrealizimi i projekteve është problem ndër vite

Në përgjigjen ndaj kritikave, ministri Murati tha se ekzekutimi i ulët i investimeve kapitale është një problem që, sipas tij, është paraqitur vazhdimisht ndër vite dhe nuk lidhet vetëm me qeverisjen aktuale.

“Sa i përket ekzekutimit të projekteve kapitale, është një situatë kronike, nuk është vetëm në këtë vit, apo në disa prej viteve paraprake”, u shpreh ai.

Murati përmendi si faktorë që ndikojnë në realizimin e projekteve kapacitetet zbatuese të ministrive, komunave dhe kohëzgjatjen e procedurave.

Megjithatë, ai tha se trendi i realizimit të investimeve kapitale ka shënuar përmirësim.

Ministri foli edhe për rritjen e kostos së jetesës, duke thënë se inflacioni nuk është problem vetëm i Kosovës, por lidhet edhe me zhvillimet ndërkombëtare.

Sipas tij, ndikim në rritjen e çmimeve kanë pasur fillimisht lufta në Ukrainë dhe më pas zhvillimet e fundit në Gjirin Persik.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës”, tha Murati.

Ai shtoi se lufta në Ukrainë kishte ndikuar në çmimet globale të energjisë dhe ushqimeve, ndërsa vala e re e rritjes së çmimeve, sipas tij, lidhet me konfliktin në Gjirin Persik.

Në përfundim, Murati kërkoi që projektligji për ndarjet buxhetore të procedohet tutje, duke e cilësuar atë si planifikim me nivel rekord të të hyrave dhe shpenzimeve.

Burimi: RTKLive