
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka diskutuar për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ndërsa ka bërë të ditur se ende ekziston rreziku që Kosova të mbetet pa organizimin e tyre.
Ky bord gjatë mbledhjes së sotme foli rreth takimit të fundit të Komitetit Organizativ (OCMG), si dhe për letrat e pranuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Sipas njoftimit të KOK-ut, në javët në vijim pritet të mbahet një takim në Athinë me përfaqësuesit e ICMG-së. Në këtë takim, OCMG-ja do të përfaqësohet nga dy përfaqësues të Qeverisë, dy të Komunës dhe dy të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Megjithatë, në mbledhje është konstatuar se ende ekziston rreziku për humbjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Po ashtu, është propozuar krijimi i një programi për përgatitjen e federatave sportive për këto lojëra, nismë që buron nga Ligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Në mesin e vendimeve të tjera, Bordi Ekzekutiv ka caktuar 21 janarin e vitit 2027 për mbajtjen e ceremonisë së Laureatëve 2026.
Ndërkaq, më 30 nëntor, federatat sportive do të ftohen të aplikojnë për bursat “Shpresat Olimpike 2026”, të cilat mbështeten nga Ministria e Sportit dhe Rinisë.
Gjatë mbledhjes është diskutuar edhe për Bursat Olimpike LA 28. Pas kërkesës së Federatës së Boksit të Kosovës, nga lista e bursistëve është larguar boksieri Donat Syla.
Komisioni i Sportit do të mblidhet për të analizuar performancën e bursistëve aktualë dhe për të shqyrtuar kërkesat e reja.