
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka deklaruar se Kosova nuk ka shënuar progres në 10 kapituj të Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, duke kërkuar nga Qeveria përgjegjësi dhe sqarime për ngecjet e evidentuara.
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja për të diskutuar gjetjet e Raportit të Progresit 2026, Lushaku tha se ato nuk mund të kalohen pa një përgjigje publike dhe pa përgjegjësi politike e institucionale.
Ajo theksoi se përmes kësaj seance synohet që Qeveria të japë shpjegime për mosrealizimin e një numri të madh obligimesh, të cilat, sipas saj, lidhen drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Kosovës.
Lushaku vlerësoi se raporti nuk duhet të shihet si një lajm që harrohet të nesërmen, por si një udhërrëfyes për reformat që duhet të ndërmarrë vendi.
“Secila mangësi që përsëritet vit pas viti është një reformë e dështuar, e vonuar dhe me përgjegjësi të qartë. Integrimi evropian nuk ecën përpara duke u përshëndetur raporti dhe gjetjet e tij, por duke i zbatuar ato me afate kohore”, deklaroi Lushaku.
Ajo tha se raporti pasqyron përkushtimin e institucioneve në përmbushjen e kushteve dhe në avancimin e jetës së qytetarëve, ndërsa veçoi vlerësimin për 10 kapituj, në të cilët Kosova, sipas saj, nuk ka shënuar progres.
Në mesin e fushave ku është evidentuar mungesë progresi, Lushaku përmendi kontrollin financiar të financave publike, konkurrencën biznesore, lëvizjen e lirë të mallrave dhe punëtorëve, transformimin digjital dhe medial, bujqësinë, sigurinë ushqimore, zhvillimin e shkencës dhe drejtësinë.
Ajo nënvizoi veçanërisht se, për herë të parë, raporti ka evidentuar mungesë progresi edhe në luftimin e korrupsionit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali