
Gjermania po humbet gjithnjë e më shumë talente të futbollit, të cilët, ndonëse janë formuar në akademitë e saj dhe kanë përfaqësuar grupmoshat e reja gjermane, vendosin që në nivel ndërkombëtar t’i mbrojnë ngjyrat e vendeve të prejardhjes së tyre. Një nga rastet e fundit është ai i Erblin Osmanit, 17-vjeçarit të Bayern Munichut, i cili zgjodhi Kosovën dhe tashmë ka debutuar me Dardanët.
Rasti i talentit kosovar është përfshirë në një analizë të publikuar nga Goal.com, e cila trajton garën gjithnjë e më të ashpër mes federatave për futbollistët e rinj me shtetësi të dyfishtë.
Osmani, i lindur në Munih dhe i formuar në akademinë e Bayern Munichut, më parë kishte luajtur për grupmoshat e Gjermanisë. Megjithatë, ai vendosi që në të ardhmen ta përfaqësojë Kosovën. Në këtë vendim ndikim të rëndësishëm pati përzgjedhësi Franco Foda, ndërsa debutimi i tij me Dardanët në shtator e bëri futbollistin më të ri në historinë e Kombëtares së Kosovës.
Por, Osmani nuk është talenti i vetëm që Gjermania nuk arriti ta mbajë në përfaqësuesen e saj. Në mesin e futbollistëve që kanë zgjedhur kombëtare të tjera janë edhe Josip Stanisic, i cili luan për Kroacinë, Kenan Yildiz për Turqinë dhe Ibrahim Maza për Algjerinë. Të tre kanë qenë pjesë e sistemit të futbollit gjerman, por më pas vendosën të përfaqësojnë vendet e prejardhjes së tyre.
Lista e rasteve të përmendura nga Goal.com përfshin edhe Paul Wannerin, që ka zgjedhur Austrinë, Malik Tillmanin, i cili përfaqëson SHBA-në, si dhe Can Uzunin, që luan për Turqinë. Në këtë grup bën pjesë edhe mbrojtësi Matteo Palma, i cili, pasi kishte luajtur për grupmoshat e Gjermanisë, tashmë është pjesë e përfaqësueses së Italisë.
Ndërkohë, një rast tjetër që po përcillet është ai i Nicolo Tresoldit, sulmuesit të Club Brugge, i cili ende mund të zgjedhë mes Gjermanisë, Italisë dhe Argjentinës.
Sipas analizës së Goal.com, një nga arsyet që po ndikon në largimin e këtyre talenteve është mungesa e një lidhjeje të hershme emocionale mes federatës gjermane, futbollistëve dhe familjeve të tyre. Në të kundërt, federatat e vendeve të prejardhjes së lojtarëve po investojnë në identifikimin dhe afrimin e tyre që në moshë të re.
Në këtë kontekst, artikulli veçon edhe angazhimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila organizon kampe vëzhguese në afërsi të Frankfurtit, me qëllim zbulimin e futbollistëve të rinj me prejardhje kosovare.
Kështu, rasti i Erblin Osmanit është pjesë e një gare që po zhvillohet gjithnjë e më shumë mes kombëtareve, ku talentet e reja nuk janë më vetëm objektiv i klubeve në tregun e transferimeve, por edhe i federatave që synojnë t’i sigurojnë përfaqësueset e tyre për të ardhmen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali