
Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Përparim Rama ka kontraktuar blerje të shkurreve dekorative me çmim shumëfish më të lartë sesa vlera në treg sa i përket sheshit “Xhorxh Bush”, ku veç gjelbrimi i këtij sheshi do t’i kushtojë xhepit të kryeqytetit 880 mijë eurove.
Nga analiza e paramasës së kontratës, rezulton se vetëm për dy lloje të shkurreve dekorative, Lavandula dhe Sedum, janë paraparë mbi 91 mijë euro, raporton Gazeta Insajderi.
Rasti më i çudtishëm është ai i livandës (Lavandula angustifolia ‘Hidcote’). Në paramasën e kontratës, kjo bimë është vendosur me çmime të ndryshme, ku për njësi figuron çmimi prej 215 eurosh, 180 eurosh dhe në një pozicion edhe 80 eurosh.
Në faqen 24 të kontratës, Komuna ka paraparë pesë copë livandë me çmim prej 215 eurosh për njësi. Në faqen 35, tetë copë të tjera janë vendosur me të njëjtin çmim, ndërsa në faqen 43, për 138 copë janë paraparë gjithsej 29 mijë e 670 euro.
E njëjta bimë shfaqet edhe në faqet 52 dhe 58, ku përkatësisht 16 dhe 24 copë janë kontraktuar me nga 215 euro. Ndërkaq, në faqen 64, për 46 copë është vendosur çmimi prej 180 eurosh për njësi. Në një pozicion tjetër, dy copë livandë janë paraparë me nga 80 euro.
Në total, për këto pozicione të livandës janë paraparë 49 mijë e 505 euro.
Ajo çfarë është karakteristikë e kësaj kontrate është rritja e shumës së kontraktuara kur ka të bëjë me sasi më të mëdha të bimës në fjalë.
Çmime të larta janë paraparë edhe për shkurret dekorative të llojit Sedum. Në paramasë, për këtë bimë figurojnë çmime prej 80, 175 dhe 180 eurosh për copë.
Për 138 copë Sedum është paraparë çmimi prej 175 eurosh për njësi, apo 24 mijë e 150 euro në total. Ndërsa në pozicione të tjera, 17, 23 dhe 46 copë janë vendosur me nga 180 euro për njësi. Në dy pozicione të tjera, për nga dy copë është paraparë çmimi prej 80 eurosh.
Sipas përllogaritjes së bërë, për këto shkurre janë paraparë 41 mijë e 710 euro.
Njësoj sikurse për livandën, edhe për shkurren e llojit Sedum është vërejtur rritje e çmimit në përputhje me rritjen e sasisë së bimës së destinuar për dekor për sheshin “Xhorxh Bush”.
Në tërësi, për punët e gjelbërimit në sheshin “Xhorxh Bush” janë paraparë rreth 888 mijë euro, ndërsa sipas analizës së çmimeve të tregut, vlera reale e këtyre punëve është përllogaritur në 167 mijë e 635 euro. Diferenca mes dy vlerave, sipas përllogaritjes së bërë, kalon 716 mijë euro.
Kjo ngre pikëpyetje edhe për përputhshmërinë e ofertës me dispozitat e prokurimit publik.
Neni 59, paragrafi 3, i Ligjit për Prokurimin Publik, si dhe neni 40, pikat 40.9 dhe 40.10 të Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, përcaktojnë mënyrën e trajtimit të gabimeve aritmetike dhe mospërputhjeve në ofertat financiare.
Sipas pikës 40.9 të rregullores, korrigjimi i gabimeve plotësisht aritmetike nuk mund të jetë më i madh se dy për qind e vlerës së përgjithshme të ofertës. Në rast se shuma që duhet korrigjuar e tejkalon këtë kufi, autoriteti kontraktues duhet ta eliminojë operatorin ekonomik dhe ta njoftojë atë me shkrim.
Ndërkaq, pika 40.10 përcakton se, në rast të mospërputhjes ndërmjet çmimit total në formularin e tenderit dhe totalit në përshkrimin e çmimeve, oferta refuzohet.
Sipas përllogaritjes së bërë mbi dokumentacionin, gabimi aritmetik në këtë rast arrin në 7.04 për qind, ndërsa kufiri prej dy për qind, sipas vlerës së ofertës, është llogaritur në 352 mijë e 275 euro.
Kjo përqindje është rreth 3.5 herë më e lartë se kufiri i lejuar për korrigjimin e gabimeve aritmetike.
Komuna e Prishtinës kishte ndarë mbi 1,2 milion euro më shumë për kompaninë e oligarkut të Edi Ramës, Salillarin, pas procedurave tenderuese për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Të paktën, kështu u tha në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Sipas ZKA’së, “Salillari” kishte dorëzuar një ofertë me gabime të mëdha aritmetike, të cilat u injoruan nga komisioni vlerësues i ofertave të tenderit.
Kontrata fillimisht u nënshkrua në vlerën prej 18,162,896€. Megjithatë, gjatë analizës së ZKA’së, është vërejtur se në paramasën dhe parallogarinë e ofertës kishte gabime në përllogaritjen e nëntotaleve, pasi nuk ishin përfshirë dy pozicione kyçe:
Pozicioni 11 “Punët e strukturës së Katedrales” në kuadër të Sheshit Katedralja 01, në vlerë prej 1,176,403 euro dhe pozicioni 11 “Punët e fontanës” në kuadër të Sheshit të Koncerteve 05, në vlerë prej 103,056 euro.
Si pasojë e këtyre lëshimeve, vlera reale e ofertës pas përfshirjes së këtyre pozicioneve rezulton të jetë 19,442,355€, apo saktësisht 1,279,459 euro më shumë sesa shuma e paraparë në realizimin e projektit.
Ligji dhe rregulloret në fuqi përcaktojnë qartë se gabimet aritmetike lejohen vetëm brenda një kufiri. Në këtë rast, diferenca e identifikuar përfaqëson rreth 7% të vlerës së ofertës, duke e kaluar dukshëm “pragun e lejuar prej +/- 2% të përcaktuar me rregullore”.
Pavarësisht këtij tejkalimi që do duhej të çonte në eliminimin e ofertës, komisioni ka vepruar ndryshe.
“Përkundër kësaj, komisioni i vlerësimit nuk kishte identifikuar dhe trajtuar gabimet aritmetike sipas kërkesave të rregullores, kishte rekomanduar operatorin ekonomik për shpërblim të kontratës dhe kontrata ishte nënshkruar bazuar në vlerën e pakorrigjuar të ofertës”, thuhet në gjetjet e auditorit.
Sipas ZKA’së, ky dështim ka ndodhur si pasojë e “mungesës së kontrolleve efektive gjatë procesit të ekzaminimit të ofertës”, gjë që rrit rrezikun për trajtim të pabarabartë të bizneseve dhe dëmtim të buxhetit publik. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi