
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka kërkuar nga institucionet e vendit që gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026 t’i trajtojnë me seriozitet dhe përgjegjësi.
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka theksuar se raporti nuk është dokument i opozitës apo i ndonjë partie politike, por një vlerësim institucional i progresit të Kosovës.
Ai ka theksuar se kur institucionet evropiane evidentojnë mangësi në demokraci, drejtësi dhe funksionimin e institucioneve, përgjigjja duhet të jetë reflektimi dhe jo arsyetimi apo propaganda.
“Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 nuk është dokument i opozitës. Nuk është dokument i PDK-së, LDK-së dhe Aleancës. Nuk është shkruar për t’i shërbyer interesit të asnjë partie politike, por është vlerësim institucional i progresit të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye duhet lexuar me seriozitet dhe përgjegjësi. Kur institucionet evropiane evidentojnë mangësi në demokraci, drejtësi dhe funksionimin e institucioneve, përgjigjja e institucioneve duhet të jetë reflektimi e jo arsyetimi e propaganda. Në këtë raport ka konstatime që duhet të na shqetësojnë secilin prej nesh”, tha ai.
Burimi: Insajderi