Bashkëpunimi ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvend është i domosdoshëm për avancimin e reformave dhe përmirësimin e Raportit të Progresit për vitin e ardhshëm, ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku u diskutua Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, Konjufca u zotua se Qeveria do t’i trajtojë të gjitha rekomandimet e paraqitura nga deputetët e opozitës.
Ai tha se shumë prej këtyre rekomandimeve kërkojnë jo vetëm veprime të ekzekutivit, por edhe angazhim të përbashkët të deputetëve dhe grupeve parlamentare.
“Zotohemi që do të adresojmë të gjitha rekomandimet që u thanë në Kuvend. Ne i kemi ekipet që regjistrojnë gjithçka që thatë. Shumica e rekomandimeve nuk kërkojnë vetëm masa të qeverisë, por po shoh që këto kërkojnë veprime edhe në Kuvend”, deklaroi Konjufca.
Duke folur për periudhën që mbulon raporti, shtator 2025 – shtator 2026, ai tha se paqëndrueshmëria politike dhe bllokada institucionale kanë ndikuar në ritmin e reformave.
Sipas Konjufcës, gjatë kësaj periudhe Kosova ka pasur dy palë zgjedhje parlamentare dhe një palë zgjedhje komunale, ndërsa Kuvendi ka funksionuar vetëm për një pjesë të kufizuar të kohës.
Duke iu referuar raportit, ai theksoi se Komisioni Evropian ka konstatuar se Kuvendi ka punuar nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa Qeveria ka qenë në detyrë për pjesën më të madhe të periudhës.
Kjo situatë, sipas vlerësimit të cituar nga Konjufca, ka kufizuar efektivitetin e qeverisjes dhe ka vonuar reformat strukturore.
Ai përmendi edhe ngecjet në strategjinë dhe ligjin për financat publike, vonesën e ratifikimit të Planit të Rritjes deri në shkurt të vitit 2026, si dhe mosmiratimin me kohë të pakos së ligjeve për drejtësinë.
Megjithatë, Konjufca tha se Raporti i Progresit nuk evidenton rënie të nivelit të përgatitjes së Kosovës në asnjë fushë.
Ai shtoi se në luftën kundër krimit të organizuar niveli i përgatitjes është ngritur, ndërsa progresi është vlerësuar më mirë se një vit më parë në së paku shtatë kapituj.
Në fund, Konjufca bëri thirrje për bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke theksuar se vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të arrihen rezultate më të mira në procesin e integrimit evropian.
Ai u shpreh se synimi duhet të jetë që Raporti i Progresit për vitin 2027 të reflektojë përparim më të madh të Kosovës./Telegrafi/