Raportohet se bashkëpunëtori i Radoiçiqit, Zvonko Vesellinoviq, është arratisur në Turqi

Raportohet se bashkëpunëtori i Radoiçiqit, Zvonko Vesellinoviq, është arratisur në Turqi

Written by

in

Raportohet se bashkëpunëtori i Radoiçiqit, Zvonko Vesellinoviq, është arratisur në Turqi

Në kohën kur po zhvillohen arrestime të biznesmenëve kontroversë dhe zyrtarëve të lidhur me ish-pushtetin dhe Alleksandar Vuçiqin në Serbi, krimineli i njohur nga veriu i Kosovës dhe njëri prej njerëzve më të fuqishëm në Serbi, Zvonko Vesellinoviq, është nisur këtë mëngjes drejt Turqisë, mëson KRIK-u. Vesellinoviqi ka lidhje të afërta me nivelet më të larta të ish-pushtetit dhe me Andrej Vuçiqin, vëllain e Alleksandar Vuçiqit. Ai kishte ndikim deri në emërimet në policinë serbe, ndërsa kompania e tij përfitonte miliona euro nga projektet shtetërore, siç dëshmohet nga mesazhet në aplikacionin “Sky”, të publikuara nga KRIK-u para dy vjetësh

Zvonko Vesellinoviq, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Olliver Ivanoviq, ka udhëtuar me një fluturim të hershëm të mëngjesit nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportën serbe, kanë bërë të ditur për gazetarët e Rrjetit për hulumtimin e kriminelëve dhe korrupsionit në Serbi, KRIK, burime të njohura me rastin.

Udhëtimi i tij drejt Stambollit, sipas këtij raportimi, ndodh në kohën kur po zhvillohen arrestime të biznesmenëve kontroversë dhe zyrtarëve që gjatë qeverisjes së Alleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Serbi kishin pozita të privilegjuara, të cilat u mundësonin të shkelnin ligjin pa pengesa dhe të pasuroheshin, transmeton Klankosova.tv.

Turqia, ndërkaq, gjatë pesë vjetëve të fundit, sipas KRIK, është shndërruar në një nga vendet kryesore ku fshihen pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale nga Ballkani.

“Në raportet e policisë dhe të shërbimeve të sigurisë, të publikuara më herët nga gazetarët e KRIK-ut, Vesellinoviqi është cilësuar si një nga kriminelët kryesorë serbë në Kosovë, i cili bashkëpunon ngushtë me mafinë shqiptare. Në këto raporte thuhet se grupi i tij merret me trafikimin e drogës, armëve dhe naftës, fajde, si dhe pastrim parash”.

“Në Serbi, ai është akuzuar disa herë për vepra të ndryshme penale, përfshirë trafikim droge, vjedhje kamionësh dhe gërmime të paligjshme të rërës. Megjithatë, shumica e proceseve gjyqësore ndaj tij përfunduan me aktgjykime lirimi, gjatë kohës së qeverisjes së Alleksandar Vuçiqit”.

“Krimi më i rëndë për të cilin dyshohet Vesellinoviqi është përfshirja në vrasjen e politikanit kosovar Olliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018. Prokuroria e Kosovës ka deklaruar se në këtë vrasje ishte i përfshirë edhe kumbari i Vesellinoviqit, Millan Radoiçiq. Të dy, sipas raportimit, kishin gëzuar mbrojtjen e ish-presidentit të Serbisë”, thotë KRIK në raportin e tij.

Në fund të vitit 2021, Vesellinoviqi u përfshi edhe në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit, nën dyshimet se kishte korruptuar politikanë për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të tij të paligjshme. Një vit më vonë, sanksione ndaj tij vendosi edhe Mbretëria e Bashkuar.

Pavarësisht këtyre akuzave dhe sanksioneve, KRIK thotë se Vesellinoviqi ishte i mbrojtur në Serbi. Lidhjet e tij politike shtriheshin deri në nivelet më të larta të pushtetit, ndërsa ai ishte i afërt me Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit serb.

KRIK thotë se lidhjet politike i mundësuan atij jo vetëm të qëndronte i lirë, por edhe të pasurohej. Kompania e tij e ndërtimit fitonte miliona euro duke marrë pjesë në projekte shtetërore.

Mesazhet në aplikacionin “Sky”, të publikuara nga KRIK-u para dy vjetësh, zbuluan mënyrën se si Vesellinoviqi siguronte këto kontrata të majme shtetërore dhe përfitonte financiarisht prej tyre.

“Vëlla, e di sa miliona merr ai. Dhe as kjo nuk i mjafton”, kishte shkruar një pjesëtar i një grupi kriminal rival, duke përshkruar pangopësinë e Vesellinoviqit.

Mesazhet e publikuara nga KRIK-u tregojnë se Vesellinoviqi kishte ndikim edhe në emërimet në policinë serbe. Ndër të tjera, në vitin 2020, ai kishte kundërshtuar emërimin e Vesellin Milliqit, atëkohë shef i Departamentit të Policisë Kriminalistike (UKP), ndërsa sot i akuzuar për mosraportimin e një vrasjeje, në pozitën e drejtorit të policisë.

Sipas mesazheve, Vesellinoviqi i kishte thënë Andrej Vuçiqit se nuk do ta ndihmonte më SNS-në nëse Milliqi emërohej në atë pozitë.

KRIK thotë se nuk është e pazakontë që Vesellinoviqi të ketë udhëtuar pikërisht drejt Turqisë. Ky shtet, sipas këtij raportimi, njihet si strehë për persona të përfshirë në krim të organizuar, të cilët, në këmbim të parave, mund të sigurojnë lirinë dhe mbrojtjen e tyre.

Në Turqi, raporton media serbe, ishin strehuar edhe disa prej emrave të njohur të botës kriminale nga rajoni, përfshirë figurat kryesore të klanit kriminal “Shkallari”, Jovan Vukotiq dhe Sani Al-Murde. /Klankosova.tv