Kosova planifikon të investojë një miliard euro në armatimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë katër viteve të ardhshme, ndërsa modernizimi i ushtrisë po vazhdon përmes blerjeve të pajisjeve dhe sistemeve të ndryshme ushtarake.
Në një artikull të publikuar më 10 nëntor nga mediumi serb RT Balkan, me autor Zoran Šaponjić, thuhet se planet e Kosovës përfshijnë blerjen e helikopterëve amerikanë UH-60 Black Hawk, raketave kundërtanke Javelin dhe sistemeve turke të raketahedhësve shumëfishtë.
Sipas raportimit, në projektbuxhetin e vitit 2027 për mbrojtjen janë paraparë 224.2 milionë euro, prej të cilave 122.4 milionë euro për armatim dhe pajisje, ndërsa 58.7 milionë euro për paga.
Artikulli përmend edhe blerjet e deritanishme të Kosovës, përfshirë dronët Bayraktar TB2 nga Turqia, dronët e zbulimit RQ-20 Puma nga SHBA-ja, si dhe dronët FPV Skydagger, të cilët janë pjesë e pajisjeve të reja të FSK-së.
Po ashtu, përmenden sistemet kundërtanke OMTAS dhe HAR-66 nga Turqia, Javelin nga SHBA-ja, si dhe automjetet e blinduara Vuran dhe Cobra.
Sa u përket investimeve të ardhshme, RT Balkan shkruan se Kosova synon të sigurojë helikopterë amerikanë Black Hawk, ndërsa synon edhe zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
Një projekt i tillë tashmë ka nisur në afërsi të Gjakovës, në bashkëpunim me kompaninë shtetërore turke MKE, për prodhimin e municionit të kalibrave 5.56 dhe 7.62 milimetra. Gjithashtu, është paralajmëruar edhe prodhimi i dronëve në Kosovë.
Duke komentuar këto zhvillime për RT Balkan, analisti ushtarak serb Andrej Mlakar ka vlerësuar se përdorimi i dronëve dhe sistemet kundërtanke përbëjnë sfidë për ushtrinë serbe.
Ai pretendon se Kosova po ndjek një strategji të ngjashme me atë të Kroacisë në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe thekson se një nga synimet është rritja e numrit të dronëve kamikazë dhe sigurimi i sistemeve të artilerisë me rreze të gjatë veprimi.
Në të njëjtin raportim përmendet edhe bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe stërvitjet e përbashkëta në poligonin e Slunjit në Kroaci, ku një rëndësi e veçantë i është kushtuar përdorimit të dronëve dhe përvojave të luftës në Ukrainë.
RT Balkan e paraqet këtë zhvillim si një sfidë të mundshme për Serbinë, ndërsa pretendimet dhe vlerësimet e analistit Mlakar janë pjesë e interpretimit të tij për zhvillimet e sigurisë në rajon.

Leave a Reply