Negociatori rus: Rusia dhe Ukraina po i afrohen marrëveshjes për paqe

Negociatori rus: Rusia dhe Ukraina po i afrohen marrëveshjes për paqe

Written by

in

Kreu i delegacionit rus në bisedimet për paqe me Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën, Vladimir Medinsky, ka shprehur optimizëm të kujdesshëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës.

Në një intervistë për mediumin rus Vesti, Medinsky është pyetur nëse palët janë më afër arritjes së paqes, ndërsa është përgjigjur se beson se po.

Ai ka thënë se shumëçka varet nga Ukraina, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe nëse Evropa, siç u shpreh ai, “vjen në vete”.

Megjithatë, Medinsky ka theksuar se Rusia do t’i arrijë të gjitha objektivat që i ka përcaktuar.

Më herët, ai kishte deklaruar se gjatë bisedimeve në Abu Dhabi palët kishin arritur mirëkuptim për disa çështje, kishin rënë dakord të vazhdonin diskutimet dhe të realizonin një shkëmbim të madh të të burgosurve.

Rusia i përgjigjet thirrjes së Britanisë për dialog ushtarak                                

Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i është përgjigjur thirrjes së ministrit britanik të Mbrojtjes, Wes Streeting, për hapjen e kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit ushtarak mes dy vendeve.

Sipas Reuters, Zakharova i ka rekomanduar Streetingut që të kontaktojë drejtpërdrejt Ministrinë ruse të Mbrojtjes, duke i siguruar se do të marrë përgjigje.

“Me besim të plotë mund t’i rekomandoj ministrit britanik të Mbrojtjes që të kontaktojë Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Ata do ta hapin telefonin dhe do të bisedojnë”, ka deklaruar Zakharova.

Reagimi i saj vjen pasi Streeting, në një intervistë për Financial Times, bëri thirrje për kanale shtesë komunikimi mes Britanisë dhe Rusisë, veçanërisht për kontakte të drejtpërdrejta mes ushtrive, me qëllim shmangien e keqllogaritjeve dhe përshkallëzimit të mundshëm të situatës.

 

Burimi: Dukagjini