Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ndaluar për 48 orë një shtetas të huaj, i dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare dhe hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike.
Sipas komunikatës së përbashkët, ndalimi është bërë në kuadër të veprimeve hetimore dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Sipas dyshimeve fillestare, personi i dyshuar, përmes ndërhyrjeve të paautorizuara në sistemet kompjuterike, dyshohet se ka keqpërdorur kartelat bankare të shtetasve të huaj, duke kryer blerje të ndryshme përmes platformave online, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material”, thuhet në komunikatë.
Gjatë kontrollit dhe bastisjes në një lokacion në rajonin e Prishtinës, Policia ka sekuestruar dy kompjuterë, dy telefona celularë, dy USB dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale.
I dyshuari po hetohet për veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, si dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.
Policia dhe Prokuroria kanë ritheksuar përkushtimin për luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Burimi: RTKLive
