Kombëtarja e Argjentinës duket se ka ngushtuar në vetëm dy emra listën e kandidatëve për të trashëguar fanellën legjendare me numrin 10 të Lionel Messit, me Lautaro Martinezin dhe Nico Pazin që janë favoritët kryesorë.
Përzgjedhja e pasuesit të Messit nuk është një vendim i lehtë për përzgjedhësin Lionel Scaloni, pasi ndikimi, kontributi dhe pesha e tetë herë fituesit të Topit të Artë në kombëtare janë pothuajse të pamundura për t’u zëvendësuar.
Megjithatë, përveç rindërtimit të skuadrës pas largimit të kapitenit legjendar, Scaloni duhet të vendosë edhe se kush do ta bartë fanellën ikonike me numrin 10.
Sipas raportimeve, dy kandidatët janë Lautaro Martinez dhe Nico Paz, të cilët përfaqësojnë dy gjenerata të ndryshme të futbollit argjentinas.
Martinez shihet si një kandidat me përvojë, duke qenë një nga figurat kryesore të sukseseve të fundit të Argjentinës. Sulmuesi i Interit ishte protagonist në finalen e Copa America 2024, ku shënoi golin e vetëm të ndeshjes ndaj Kolumbisë, pasi Messi ishte detyruar të largohej nga fusha për shkak të lëndimit.
Ai ishte pjesë e të gjitha katër triumfeve të Argjentinës gjatë një periudhe katërvjeçare, duke fituar kështu një pozitë të rëndësishme në historinë e gjeneratës aktuale.
Në anën tjetër, Nico Paz përfaqëson të ardhmen e kombëtares. Mesfushori 22-vjeçar i Comos e bart tashmë fanellën me numrin 10 në klubin italian dhe është një prej talenteve më premtues të futbollit argjentinas.
Ai mori ftesën e parë nga kombëtarja në vitin 2024 dhe gradualisht u bë pjesë e planeve të Scalonit. Pas një roli më të kufizuar në Botërorin e kaluar, Paz shkëlqeu në tri ndeshjet e para të Argjentinës pas turneut, duke shënuar në secilën prej tyre.
Për të, Messi ka qenë gjithmonë idhull dhe mundësia për të luajtur përkrah tij ishte një ëndërr e realizuar.
“Herën e parë që e pashë, u dashurova me mënyrën se si luante. Unë dhe babai im gjithmonë përpiqeshim të llogarisnim nëse do të kishte kohë që një ditë të luaja përkrah tij. Na dukej pothuajse e pamundur, por në fund fati ose Zoti e bëri të mundur realizimin e asaj ëndrre. Jam shumë i lumtur që pata mundësinë ta përjetoja”, kishte deklaruar Paz për Messin.
Pesha historike e fanellës me numrin 10
Në Argjentinë, fanella me numrin 10 ka një domethënie shumë më të madhe sesa një numër i zakonshëm në futboll. Ajo është bartur nga disa prej legjendave më të mëdha të këtij sporti, përfshirë Diego Maradonën, Mario Kempesin dhe Lionel Messin.
Kjo traditë është kthyer në një simbol të identitetit futbollistik argjentinas, ku numri 10 zakonisht i besohet futbollistit më kreativ dhe më vendimtar të skuadrës.
Vetë Messi kishte treguar më parë se dëshira për ta bartur këtë numër ishte e pranishme që nga fëmijëria te futbollistët argjentinas.
“Të gjithë mendonim se ishim paksa të ndryshëm si lojtarë. Edhe nëse nuk ishim, të gjithë dëshironim ta bartnim numrin 10 që nga mosha e re. Është padyshim një fanellë speciale”, kishte thënë Messi./Telegrafi/