Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se ka ndaluar 38-vjeçarin e dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij 27-vjeçare dhe të vëllait të saj 31-vjeçar, si dhe për plagosjen e rëndë të një familjari tjetër, 48-vjeçar, në fshatin Livoç i Poshtëm të Gjilanit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, motivi i ngjarjes ende nuk dihet, njofton Dukagjini.
Në njoftim thuhet se i dyshuari V.R. nga Gjilani dyshohet se ka përdorur armë zjarri për t’i privuar nga jeta bashkëshorten e tij, N.B., 27 vjeçe, dhe vëllain e saj, E.B., 31 vjeç. Ndërkaq, M.B., 48 vjeç, djali i xhaxhait të bashkëshortes së të dyshuarit, ka mbetur i plagosur rëndë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Tutje bëhet e ditur se gjatë hetimeve është sekuestruar një pistoletë e markës “Bereta”, me leje të skaduar, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale. Po ashtu, janë sekuestruar prova të tjera materiale, pas kontrolleve të kryera në tri lokacione të pronave të të dyshuarit.
Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk ka pasur raste të raportuara për dhunë në familje.
Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit.
Burimi: Dukagjini
