Moldavia synon të ndryshojë ligjet për të prodhuar armë për nevojat e veta të mbrojtjes

Moldavia synon të ndryshojë ligjet për të prodhuar armë për nevojat e veta të mbrojtjes

Written by

in

Moldavia synon të ndryshojë legjislacionin për të mundësuar prodhimin e armëve për nevojat e veta të mbrojtjes, por nuk ka ndërmend ta furnizojë Ukrainën me to, ka deklaruar të premten kryetari i Parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu.

Grosu, zyrtari i dytë më i lartë në hierarkinë shtetërore të Moldavisë, tha se ndryshimet ligjore janë të nevojshme për të mundësuar prodhimin e pajisjeve me përdorim të dyfishtë, siç janë dronët.

“Do të doja shumë që t’i prodhonim për veten tonë. Na nevojiten, veçanërisht për qëllime të përdorimit të dyfishtë”, deklaroi Grosu në një forum ndërkombëtar dyditor për sigurinë, duke përmendur përdorimin e dronëve për sigurinë kombëtare, emergjencat dhe bujqësinë.

Grosu, i cili drejton Partinë e Veprimit dhe Solidaritetit të presidentes Maia Sandu, që ka shumicën në parlament, hodhi poshtë mundësinë që armët e prodhuara të synohen për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus prej katër vjetësh e gjysmë.

“Sigurisht që jo! Pse do ta bënim këtë? Ne do t’i prodhonim për veten tonë”, u tha ai gazetarëve.

Administrata e presidentes Sandu synon që Moldavia t’i bashkohet Bashkimit Evropian deri në vitin 2030 dhe ka kritikuar ashpër pushtimin rus të Ukrainës.

Moldavia, e cila ndodhet mes Ukrainës dhe Rumanisë, anëtare e BE-së, është ndikuar drejtpërdrejt nga lufta. Javëve të fundit, një numër në rritje dronësh dhe raketash, për të cilat autoritetet dyshojnë se janë ruse, kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendit, ndërsa mbetjet e tyre kanë rënë në territorin moldav.

Grosu tha në forum se që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, janë regjistruar 88 shkelje të hapësirës ajrore të Moldavisë.

“Me shifra të tilla, njerëzit shtrojnë një pyetje të thjeshtë: A mund të na mbrojë shteti ynë?”, deklaroi ai.

Sipas Grosut, Moldavia nuk mund t’i ndërtojë kapacitetet mbrojtëse brenda natës dhe as t’i kompensojë brenda katër vjetësh tri dekada të financimit të pamjaftueshëm të mbrojtjes.

Për të mbrojtur hapësirën ajrore, ai tha se vendit i nevojiten radarë, pajisje, personel i trajnuar, sisteme komunikimi, infrastrukturë dhe procedura të përshtatshme.

Edhe presidentja Maia Sandu deklaroi të enjten se pozita e Moldavisë në rajon është “e cenueshme”. Ajo theksoi se prodhimi vendor i pajisjeve të mbrojtjes është pjesë e rëndësishme e planifikimit të ardhshëm dhe bëri të ditur se ndryshimet ligjore do t’i paraqiten së shpejti parlamentit.

Burimi: Dukagjini