
Autori dhe moderatori i emisionit “Rubikon” në Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, ka ndarë një përvojë personale lidhur me pasaktësitë e Inteligjencës Artificiale, duke treguar se si platforma kineze “DeepSeek” për një kohë të gjatë pretendonte se ai ishte arrestuar dhe dënuar në Serbi.
Gjatë diskutimit për rreziqet dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale, Kelmendi tregoi se kishte pyetur platformën “DeepSeek” se kush ishte Adriatik Kelmendi, por përgjigjja që kishte marrë e kishte habitur.
“E kam pyetur DeepSeek-un se kush është Adriatik Kelmendi… DeepSeek thoshte se unë jam arrestuar dhe dënuar në Serbi, gjatë njërës prej vizitave të mia apo kalimit nëpër territorin e Serbisë”, tregoi Kelmendi.
Ai tha se pavarësisht përpjekjeve për ta korrigjuar këtë informacion të pavërtetë, platforma vazhdonte të këmbëngulte në pretendimin e saj, madje duke ofruar edhe lidhje që supozohej se çonin te vendime gjyqësore.
“Kur i thoja se je gabim, nxirrte linqe kinse të vendimeve gjyqësore të apelimit, të cilat kur i hapje nuk të çonin te asgjë. Por, megjithatë, insistonte. I jam kthyer edhe pas një jave dhe prapë ka insistuar”, tregoi ai.
Kelmendi tha se për rreth dy deri në tri javë, “DeepSeek” vazhdonte ta paraqiste si person të dënuar në Serbi, duke u përpjekur ta bindte përmes pretendimeve dhe “provave” të ndryshme.
Madje, sipas tij, platforma shkonte aq larg sa sugjeronte se ai po përpiqej ta fshihte një ngjarje të tillë.
“Kur i thoja: ‘Po unë jam personi dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë’, më thoshte: ‘Ju po doni ta fshihni atë që ka ndodhur, sepse ndoshta e keni të rëndë ta pranoni’”, deklaroi Kelmendi.
Ai shtoi se vetëm pas rreth dy muajsh, përgjigjet e DeepSeek-ut filluan të përputheshin pak a shumë me ato që ofrojnë platformat perëndimore të Inteligjencës Artificiale.
Për më shumë: