
Analisti Avni Arifi ka kritikuar qasjen që, sipas tij, e trajton presidenten si një institucion në shërbim të qeverisë apo të partisë politike nga e cila ajo vjen, duke theksuar se roli i kreut të shtetit është të përfaqësojë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Duke folur në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Arifi ka komentuar edhe presionin që, sipas tij, po i bëhet presidentes nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Për me e vlerësu orientimin e presidentes a është një orientim që është me qenë servis i qeverisë apo një presidente që kqyrë me i përfaqësu të gjithë qytetarët e Kosovës. Unë e pashë edhe presionin që po i vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, pashë një deputet që tha opozita vetëm kuvendin e ka, s’ka kurrgjë në presidenten, e kanë gabim. As Kushtetuta nuk e thotë ashtu”, ka thënë Arifi në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Kjo është arsyeja pse presidenti zgjidhet me 80 vota se duhet me qenë 80 vota në parlament, sepse ajo duhet të jetë një derë jo vetëm për çdo parti politike, por çdo shoqatë. Ajo duhet të kujdeset për unifikimin e shoqnisë. Duhet të ketë një një qasje të balancuar, jo t’i shërbejë partisë që ka dalë e para në zgjedhje apo kushdo që të jetë kryeministër. Presidenti i shërben vendit, i shërben kushtetutës, nuk i shërben as kryeministrit, nuk i shërben as kryetarit të partisë nga e cila ka ardhë që ka qenë një kohë”.