Të dërguarit amerikanë do të udhëtojnë drejt Moskës të enjten për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin, pas dy ditësh bisedimesh në Abu Dabi – të ndërmjetësuara nga SHBA-ja – mes negociatorëve ukrainas dhe rusë lidhur me luftën e tyre që zgjat prej gati pesë vitesh.
Pas vizitës në Moskë, Jared Kushner dhe i dërguari tjetër, Steve Witkoff, do të udhëtojnë drejt Dublinit – ku këtë javë mbahen samite evropiane – për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Të mërkurën, Kushner deklaroi se takimi me Putinin do të shërbejë për të “shqyrtuar atë që u diskutua sot dhe për të tentuar arritjen e përparimit të mëtejshëm në disa nga çështjet e diskutuara, pasi shohim hapësira për zhvillime të reja”.
Sa i përket takimit me Zelenskyn, dyshja do të “shqyrtojë më thellë disa nga idetë që dolën sot këtu”, u tha ai gazetarëve pas përfundimit të bisedimeve dyditore.
Palët ranë dakord për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve – më i madhi i realizuar ndonjëherë, sipas Kushnerit – ndonëse asnjëra palë nuk dha shifra konkrete.
Megjithatë, palët mbeten të ndara lidhur me rolin që duhet të luajë Evropa në bisedimet e ardhshme.
Edhe pse nga bisedimet në Abu Dabi – të parat që nga shkurti, kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit ndërprenë përpjekjet diplomatike – nuk dolën rezultate të tjera thelbësore, të gjitha palët theksuan se është shënuar përparim dhe konfirmuan se bisedimet do të vazhdojnë.
Negociatori ukrainas, David Arakhamia, deklaroi se pas diskutimeve vërehet një “dinamikë pozitive”, por shtoi se ka “çështje që nuk mund t’i bëjmë publike për momentin”.
Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, u tha gazetarëve se “diskutimet, sigurisht, do të vazhdojnë”.
Megjithatë, ai shprehu rezerva lidhur me përfshirjen e Evropës në këto bisedime.
“Nuk e kuptojmë vërtet se për çfarë duhet të diskutojmë me ta. Nuk kemi marrë asnjë nismë paqeje, asnjë propozim konkret nga vendet evropiane”, tha ai pas bisedimeve.
Ukraina kërkon një përfshirje më të madhe nga mbështetësit e saj kryesorë evropianë.
Kushner bëri të ditur se në agjendën e bisedimeve me Putinin do të jetë edhe shqyrtimi i mundësisë për “përfshirjen e evropianëve në këtë format”.
Zyrtarë nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, si dhe përfaqësues nga NATO-ja dhe BE-ja, udhëtuan drejt Abu Dabit për të zhvilluar takime paralele. /Telegrafi/