
Një 43-vjeçar nga fshati Cërcë i Istogut është zhdukur pa gjurmë, ndërsa prej rreth dhjetë ditësh askush nuk e ka parë të hyjë apo të dalë nga shtëpia ku jeton i vetëm. Shqetësimi i një të afërmi ka vënë në lëvizje Policinë, e cila ka kërkuar edhe ndërhyrjen e zjarrfikësve për të kontrolluar banesën, por brenda nuk është gjetur askush, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, personi i zhdukur është Miftar Shalaj (43), ndërsa rastin në Polici e ka denoncuar një i afërm i tij.
Ky i fundit ka deklaruar se prej rreth dhjetë ditësh nuk e kishte parë 43-vjeçarin të hynte apo të dilte nga shtëpia, ku ai banonte i vetëm.
Pas denoncimit, njësitë patrulluese dhe hetuesit e Stacionit Policor në Istog kanë nisur kërkimet, por nuk kanë arritur ta gjejnë as në qytet.
Duke marrë parasysh rrethanat e raportuara, Policia ka kontaktuar Prokurorinë, e cila ka autorizuar kontrollimin e shtëpisë së tij.
Në vendngjarje janë angazhuar edhe zjarrfikësit, të cilët kanë hapur derën hyrëse pa shkaktuar dëme, ndërsa përgjegjësinë për hapjen e saj e ka marrë i afërmi që kishte denoncuar zhdukjen.
Megjithatë, gjatë kontrollit është konstatuar se shtëpia ishte e zbrazët dhe 43-vjeçari nuk ndodhej brenda.
Pas këtyre veprimeve, Prokuroria ka urdhëruar inicimin e rastit “Person i zhdukur” dhe ndërmarrjen e masave të mëtejshme për gjetjen e tij.
Deri në informacionet e fundit të siguruara nga Sinjali, vendndodhja e Miftar Shalajt mbetet e panjohur.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali