Shpërthen një veturë në Shën Petersburg, vritet koloneli rus

Shpërthen një veturë në Shën Petersburg, vritet koloneli rus

Written by

in

Një veturë ka shpërthyer mëngjesin e 12 nëntorit në Shën Petersburg të Rusisë, duke shkaktuar vdekjen e një ushtaraku. Mediat ruse raportojnë se viktima ishte kolonel dhe ndodhej në timonin e automjetit në momentin e shpërthimit.

Komiteti Hetimor i Federatës Ruse konfirmoi se një pjesëtar i ushtrisë është vrarë nga shpërthimi në distriktin Pushkinsky, por nuk bëri të ditur gradën e tij, transmeton Telegrafi.

Sipas kanalit rus në Telegram, Megapolis, shpërthimi ndodhi në autostradën Kolpinskoje. Ndërkaq, mediumi lokal Fontanka, duke cituar burime të veta, raportoi se viktima ishte kolonel.

Sipas këtij mediumi, ushtaraku ishte larguar nga banesa e tij në Shushary dhe sapo kishte hyrë në veturë, duke nisur të largohej nga oborri i ndërtesës, kur një mjet shpërthyes detonoi. Ai vdiq në vendin e ngjarjes.

Fillimisht, Fontanka raportoi se në automjet ndodhej edhe një familjar i viktimës, i cili kishte mbetur i plagosur. Megjithatë, më vonë mediumi korrigjoi informacionin, duke bërë të ditur se koloneli ishte i vetëm në veturë dhe se ulësja e pasagjerit ishte bosh.

Komiteti Hetimor njoftoi se ka nisur hetimet për vrasje. Hetuesit po shqyrtojnë vendin e shpërthimit dhe kanë urdhëruar kryerjen e ekspertizave mjekoligjore dhe teknike.

Zona është rrethuar nga autoritetet, ndërsa shërbimet ruse të sigurisë po kërkojnë personin që dyshohet se mund ta ketë vendosur mjetin shpërthyes të improvizuar.

Sipas raportimeve fillestare të kanalit Exilenova+, viktima ishte kolonel i Forcave Ajrore ruse. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet. /Telegrafi/