
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës po përballen me rritjen e kostos së jetesës, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur familjeve u shtohen shpenzimet për ngrohje dhe energji elektrike.
Gjatë fjalës së saj në foltoren e Parlamentit, Nagavci ka thënë se krizat ndërkombëtare dhe luftërat po vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e energjisë dhe produkteve ushqimore, duke theksuar se pasojat ekonomike të këtyre zhvillimeve në Kosovë janë ndier që nga viti 2022.
“Kemi hyrë në muajt e dimrit, po afrohen edhe festat e fundvitit, familjeve u shtohen shpenzimet për ngrohje dhe energji. Në të njëjtën kohë, luftërat dhe krizat ekonomike po vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e energjisë dhe të produkteve ushqimore në mbarë botën. Kosova nuk është palë në këto luftëra, por pasojat e tyre ekonomike po i ndiejmë që nga viti 2022. Këtë vit, rritja e çmimeve është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të këtyre konflikteve”, ka deklaruar Nagavci, transmeton Klankosova.tv.
Ajo ka theksuar se, ndonëse krizat ndërkombëtare kanë ndikim të madh në ekonominë e Kosovës, ato nuk duhet të përdoren si arsyetim për çdo rritje të çmimeve. Sipas saj, duhet të bëhet dallimi mes shtrenjtimit që vjen si pasojë e kostos së furnizimit dhe lëndëve të para dhe rritjes abuzive të çmimeve.
“Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë, por ato s’mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet se cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit apo lëndës së parë dhe cilat rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj”, është shprehur ajo.
Nagavci ka renditur edhe masat që, sipas saj, Qeveria ka ndërmarrë gjatë vitit 2026 për të mbështetur qytetarët përballë vështirësive ekonomike. Ajo ka veçuar rritjen e pagës minimale në dy faza, fillimisht në 425 euro nga janari dhe më pas në 500 euro nga korriku.
“Gjatë vitit 2026, Qeveria ka ndërmarrë masa konkrete për t’i mbështetur qytetarët përballë këtyre vështirësive. Paga minimale është rritur në dy faza: në 425 euro nga janari dhe në 500 euro nga korriku”, ka thënë Nagavci.
“Shtesat për lehona janë rritur në 500 euro në muaj, ndërkohë që përmes Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 janë paraparë pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistë, fëmijë, studentët aktivë dhe punëtorët e sektorit privat”, ka deklaruar ajo.
Shefja e grupit parlamentar e VV-së ka përmendur edhe programin e subvencionimit të faturave të energjisë elektrike për familjet e cenueshme, për të cilin janë paraparë rreth 15 milionë euro.
“Për dimrin 2026-2027, Qeveria ka miratuar programin e subvencionimit të faturave të rrymës për familjet e cenueshme, me rreth 15 milionë euro të parapara”, ka theksuar shefja e Grupit Parlamentar të VV-së.
Ndërkaq, duke folur për projektbuxhetin e vitit 2027, Nagavci ka bërë të ditur se është paraparë rritja progresive e shtesave për fëmijë, me synimin që ato të dyfishohen deri në vitin 2030. Ajo ka paralajmëruar edhe rritje të pagave në sektorin publik gjatë vitit të ardhshëm.
“Me projektbuxhetin e vitit 2027 është paraparë edhe rritja progresive e shtesave për fëmijë, duke filluar me 25 për qind nga janari, deri në dyfishimin e tyre në vitin 2030. Po ashtu, rritje të pagave në sektorin publik gjatë vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Nagavci./Klankosova.tv