Kurti në Dublin: Llogarisim në presidencën irlandeze për statusin e vendit kandidat në BE

Kurti në Dublin: Llogarisim në presidencën irlandeze për statusin e vendit kandidat në BE

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar kryeministrin irlandez, Michael Martin, për ftesën dhe mikpritjen gjatë vizitës së tij në Dublin, duke shprehur pritshmëritë që Irlanda, gjatë presidencës së saj të Bashkimit Evropian, ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.

Kurti ka thënë se Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, por fillimisht duhet të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim.

“Republika e Kosovës dëshiron gjithashtu që t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s por për të arritur aty, neve na duhet që fillimisht të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Llogarisim në presidencën irlandeze ( të BE-së v.j) dhe duam t’i falënderojmë popullin irlandez për strehimin e mbi 1000 refugjatëve kosovarë në vitin 1999, kur ata ishin detyruar të largoheshin nga mëmëdheu, shkaku i gjenocidit të forcave të armatosura të Millosheviqit të Serbisë  dhe Jugosllavisë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka shprehur mirënjohje edhe për ushtarët irlandezë që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it për më shumë se dy dekada e gjysmë, duke kontribuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Duke folur për Komunitetin Politik Evropian (EPC), pas kritikave të ngritura ndaj këtij formati, Kurti ka vlerësuar se ai ka rëndësi të veçantë, pasi u mundëson liderëve evropianë të takohen, të diskutojnë dhe të bashkërendojnë qëndrimet përballë sfidave të sigurisë.

Ai ka theksuar se agresioni rus ndaj Ukrainës po vazhdon, përfshirë sulmet ndaj infrastrukturës kritike, ndërsa lufta hibride po shtrihet edhe përtej territorit të Ukrainës.

Sipas Kurtit, EPC-ja ndihmon në bashkimin e liderëve dhe koordinimin e përpjekjeve të tyre përballë këtyre sfidave.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi liderë që takohen, diskutojnë dhe bashkërendojnë qëndrimet në një kohë kur agresioni rus vazhdon në Ukrainë dhe me luftën kinetike, sulmon infrastrukturën kritike ndërsa lufta hibride po shkon përtej agresionit në Ukrainë. Mendoj që EPC (Komunitetit Politik Evropian) ndihmon sepse liderët mblidhen dhe i bëjnë bashkë forcat”, ka deklaruar Kurti.

Burimi: Dukagjini