
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, në emër të kësaj partie ka propozuar në Kuvend ndryshimin e rendit të ditës, për të përfshirë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Çitaku, gjatë paraqitjes së mocionit procedural, ka falënderuar 90 deputetët që më herët e votuan këtë ligj, duke e cilësuar atë votim si dëshmi të unitetit dhe pjekurisë politike e kombëtare.
“Fillimisht më lejoni të falënderoj 90 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët ligjin e kanë votuar dy herë në një natë shumë dramatike në Kuvendin e Kosovës. Me atë votim dhe me atë unitet ne kemi dëshmuar pjekuri të lartë edhe politike, edhe kombëtare, dhe kemi dëshmuar që ka vlera të mëdha që i tejkalojnë politikat ditore dhe që na bashkojnë”, ka deklaruar Çitaku, transmeton Klankosova.tv.
Ajo ka rikujtuar se pas miratimit të ligjit në dy lexime, PDK-ja kishte propozuar që ai të kthehej sërish në Kuvendin e Kosovës, pasi, sipas saj, ishin marrë disa këshilla dhe rekomandime që do ta bënin ligjin më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm juridikisht.
“Pas kalimit të ligjit në dy lexime, e dini që PDK-ja ka propozuar që ai ligj të kthehet sërish në Kuvendin e Kosovës, sepse na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime, të cilat ne besojmë që ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm, edhe më të qëndrueshëm juridikisht. Këtë vendim e kemi marrë të vetëdijshëm që do të na kushtojë politikisht, por për ne qëllimi është më i rëndësishëm sesa dëmi që mund të na bëjë neve si parti politike”, u shpreh ajo.
Çitaku ka bërë të ditur se pas diskutimeve me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupe të tjera parlamentare, është arritur pajtim për përmbajtjen e ndryshimeve, ndonëse kanë ekzistuar mospajtime rreth procedurës.
“E kemi marrë me bindjen e plotë që mund të bëjmë ndryshime në të, mirëpo pas diskutimeve të shumta që kemi pasur me eksponentë të lartë të VV-së, por edhe me grupe të tjera parlamentare, ne jemi dakorduar. Ndonëse kemi pasur mospajtime në procedurë, në përmbajtje kemi dakordim”, tha Çitaku.
“Ju ftoj, zonja kryetare, që këtë mocion ta miratojmë sot, ta miratojmë ligjin sot dhe menjëherë të fillojmë procedurën e amendamentimit”, tha ajo./Klankosova.tv