
Pas miratimit të mocionit të PDK-së për futjen në rendin e ditës së Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në Kuvend ka pasur përplasje mes ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Çitaku ka propozuar që kjo pikë të renditet ose menjëherë pas pyetjeve parlamentare, ose pas marrëveshjeve ndërkombëtare.
Por, këtij propozimi i ka reaguar Haxhiu, e cila ka kërkuar që të mos bëhen kërkesa të tjera për ndryshimin e renditjes së pikës.
“Jo, jo. Mos e prish të lutem, nënkryetare, të lutem me mirëkuptim mos e prish tani me këtë propozim tjetër. Unitetin jo, por të paktën deklarimin e shumicës dhe vullnetin e shumicës”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka insistuar që Ligji për Specialen të mbetet pika e fundit e rendit të ditës, duke iu referuar ndjeshmërisë së kësaj çështjeje dhe diskutimeve të zhvilluara paraprakisht.
“Ju e dini qysh është situata, shumë mirë e dini se kemi diskutuar gjerë e gjatë. Kjo pikë radhitet e fundit e rendit të ditës. Dhe ju kisha lutur të mos bëni kërkesa të tjera, sepse shumë mirë jeni në dijeni për sensitivitetin, debatin dhe diskutimet”, ka deklaruar Haxhiu.
Burimi: Insajderi