Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka ritheksuar nevojën për një marrëveshje politike ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e ka cilësuar si “koalicion për shtet”.
Në deklarimet jashtë rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës, Mustafa tha se vazhdon të mbështesë idenë e bashkëpunimit ndërmjet dy subjekteve politike, pavarësisht kundërshtimeve që, sipas tij, ekzistojnë ndaj një marrëveshjeje të tillë.
Ai përmendi se një pjesë e kundërshtarëve të këtij propozimi vlerësojnë se një koalicion i tillë do t’ia zgjaste mandatin politik kryeministrit Albin Kurti dhe se ai duhet të përballet me sfidën e zgjedhjeve, raporton kp.
Megjithatë, Mustafa rikujtoi se Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje radhazi, duke theksuar se e respekton edhe qëndrimin e atyre që kërkojnë vazhdimin e konkurrencës politike përmes zgjedhjeve.
“Pikërisht për këtë kam propozuar bashkëpunim ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Atë e kam quajtur koalicion për shtet. E di se ka kundërshtime të shumta. Disa thonë se koalicioni i tillë do t’ia zgjaste jetën politike Albin Kurtit dhe se ai duhet të sfidohet me zgjedhje. Ju kujtoj se tri herë radhazi janë mbajtur zgjedhje, njëra pas tjetrës. Megjithatë, e respektoj këtë qëndrim dhe besoj se konkurrenca politike dhe përgjegjësia shtetërore nuk duhet ta përjashtojnë njëra-tjetrën”, tha ai.