
Pirja e dy deri në tre filxhanëve kafe në ditë mund të shoqërohet me një rrezik pak më të ulët për zhvillimin e fibrilacionit atrial, një nga çrregullimet më të shpeshta të ritmit të zemrës. Këtë e sugjeron një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore “Food & Nutrition Research”, në të cilin u analizuan të dhënat e afro 500 mijë të rriturve, ka raportuar “NewsMedical”.
Fibrilacioni atrial është një gjendje në të cilën zemra rreh në mënyrë të çrregullt dhe mund të rrisë rrezikun për komplikime serioze, përfshirë sulmin në tru.
Në studim u përfshinë 495.269 persona, me moshë mesatare 57 vjeç, të cilët u ndoqën për rreth 13 vjet. Gjatë kësaj periudhe, 37.261 prej tyre zhvilluan fibrilacion atrial.
Sipas rezultateve, personat që konsumonin kafe kishin një rrezik të vlerësuar 7 deri në 11 për qind më të ulët për zhvillimin e këtij çrregullimi, krahasuar me ata që nuk pinin fare kafe.
Lidhja më e dukshme u evidentua te personat që konsumonin nga dy deri në tre filxhanë në ditë.
Një prirje e ngjashme, por më e kufizuar, u vu re edhe te konsumimi i çajit. Personat që pinin dy deri në tre filxhanë në ditë kishin një rrezik rreth 5 për qind më të ulët, ndërsa rezultatet për sasitë e tjera nuk ishin aq të qarta.
Megjithatë, studiuesit vunë re se rreziku nuk ulej në mënyrë të vazhdueshme me rritjen e konsumit. Përkundrazi, lidhja më e favorshme u shfaq te personat që konsumonin sasi të moderuara të këtyre pijeve.
A do të thotë kjo se kafeja mbron zemrën?
Jo domosdoshmërisht. Studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues, i cili evidenton një lidhje mes konsumit të kafesë dhe rrezikut më të ulët për fibrilacion atrial, por nuk dëshmon se kafeja është shkaku i këtij efekti.
Një tjetër kufizim është fakti se pjesëmarrësit raportuan vetë sasinë e kafesë dhe çajit që konsumonin, ndërsa studiuesit nuk matën në mënyrë të saktë sasinë e kafeinës. Në analizë u përfshi edhe kafeja pa kafeinë, prandaj rezultatet nuk mund t’i atribuohen vetëm kafeinës.
Çfarë duhet të kemi parasysh?
Fibrilacioni atrial prek miliona njerëz në mbarë botën dhe mund të rrisë rrezikun për probleme serioze kardiovaskulare.
Megjithatë, rezultatet e këtij studimi nuk përbëjnë rekomandim që njerëzit të fillojnë të konsumojnë më shumë kafe për të mbrojtur zemrën. Ato sugjerojnë vetëm se pirja e moderuar e kafesë mund të shoqërohet me një rrezik më të ulët për këtë çrregullim të ritmit të zemrës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali