
Kryetari i Gjykatës Administrative të Kosovës, Kreshnik Kaçiu, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.
Gjatë takimit u diskutua për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative, sfidat me të cilat përballet ky institucion i ri, si dhe rolin e tij në trajtimin e çështjeve nga fusha e drejtësisë administrative.
Kryetari Kaçiu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke vënë në pah prioritetet dhe angazhimin e Gjykatës për përmbushjen e mandatit të saj.
Nga ana tjetër, shefi i EULEX-it, Antero Lopes, e vlerësoi themelimin e Gjykatës Administrative si një vendim të nevojshëm për Kosovën dhe shprehu gatishmërinë e misionit evropian për të mbështetur punën e këtij institucioni.
Në fund të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit edhe në të ardhmen, në përputhje me mandatet dhe kompetencat përkatëse.
Burimi: Insajderi