
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, me të cilin ka diskutuar për punën e institucionit, rezultatet e arritura dhe planet për të ardhmen.
Gjatë takimit, sipas njoftimit nga Presidenca, Shiroka Pula ka vlerësuar punën e Institutit në tri vitet e para nga themelimi, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ruajtjes së kujtesës historike.
“Ajo vlerësoi veçanërisht publikimin e listës preliminare, e cila përfshin personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës. Presidentja theksoi se, meqë raporti dhe lista janë preliminare, procesi i dokumentimit kërkon vazhdimësi dhe hulumtim të mëtejshëm, në mënyrë që të përditësohet me çdo të dhënë dhe dëshmi të re”, thuhet në njoftimin nga zyra e Presidentes.
Në këtë takim, Shiroka Pula riafirmoi edhe gatishmërinë e Zyrës së Presidentes për të ofruar mbështetje institucionale, duke vënë në dispozicion kapacitetet dhe mundësitë e saj për avancimin e misionit të IKKL-së.
