
Një person ka mbetur i vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një palestër në Washington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I dyshuari për sulmin ka vrarë veten, kanë konfirmuar autoritetet policore.
Sipas raportimeve të NBC News, personi i armatosur kishte hapur zjarr në një palestër , ku të paktën pesë persona u qëlluan me armë zjarri.
Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, policia konfirmoi se një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike, transmeton klankosova.tv
Pas sulmit, i dyshuari ishte barrikaduar brenda një apartamenti në katin e shtatë të ndërtesës, që besohet të ishte banesa e tij. Policia kishte tentuar të komunikonte me të përmes derës, por vendosi ta hapte atë me forcë pasi dëgjoi një të shtënë armë zjarri. Më pas, u konfirmua se i dyshuari kishte vdekur.
Autoritetet bënë të ditur se personi në fjalë kishte qenë në konflikt me shoqatën e pronarëve të ndërtesës. Ndërkohë, në objekt ishte shkaktuar edhe një zjarr, i cili tashmë është shuar.
Raportime ende të pakonfirmuara sugjerojnë se i dyshuari kishte qëlluar disa herë në drejtim të policisë përmes një dere të ndërtesës, duke detyruar përkohësisht pjesëtarët e njësisë speciale SWAT të tërhiqeshin.