
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me synimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar sërish amendamentet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, Ambasada britanike ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara nuk do t’i shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës, ndërsa mund të dëmtojnë marrëdhëniet e vendit me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.
“Ne kemi frikë se amendamentet e propozuara nuk do të bëjnë asgjë për t’i shërbyer interesave thelbësore të Kosovës dhe do të minojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë”, thuhet në reagim.
Ambasada ka theksuar se i kupton ndjenjat e forta të krijuara pas aktgjykimeve të fundit, por ka nënvizuar rëndësinë e respektimit të obligimeve ndërkombëtare dhe përkushtimit ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Në fund, Britania e Madhe i ka bërë thirrje Kuvendit që të mos nxitojë me këtë proces, por të zhvillojë konsultime të mëtejshme brenda vendit dhe me Bashkimin Evropian e aleatët e tjerë ndërkombëtarë, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje më të mirë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali