Rama njofton se samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri më 2027

Rama njofton se samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri më 2027

Written by

in

Rama njofton se samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri më 2027

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se samiti i ardhshëm i NATO-s nuk do të mbahet në Tiranë gjatë vitit 2027, pavarësisht planeve të mëparshme që Shqipëria të ishte nikoqire e këtij takimi.

Duke folur të enjten në Dublin, para takimit të liderëve evropianë, Rama tha se ende nuk ka një dakordim mes vendeve anëtare për kohën e mbajtjes së samitit.

“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti. Sigurisht, jo në vitin 2027”, deklaroi Rama, sipas Reuters.

Megjithatë, kryeministri shqiptar la të hapur mundësinë që Shqipëria ta organizojë samitin në vitin 2028.

“Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë samit, ai do të mbahet në Tiranë”, shtoi ai.

Sipas Reuters, planet për mbajtjen e samitit në Shqipëri më 2027 kishin hyrë në pikëpyetje që në qershor, për shkak të kundërshtimeve nga administrata Trump dhe pakënaqësive të disa vendeve anëtare lidhur me shpenzimet e ulëta të Shqipërisë për mbrojtjen.

Ndërkohë, NATO po shqyrton mundësinë e heqjes dorë nga praktika e organizimit të samiteve çdo vit. Diplomatët bëjnë të ditur se Aleanca mund të vendosë edhe në një afat të shkurtër për mbajtjen e një samiti gjatë vitit 2026, por jo në Tiranë.

Një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar se samiti i ardhshëm i Aleancës do të mbahet në Shqipëri, pa specifikuar datën.

Në deklaratën e samitit të NATO-s në Hagë, në qershor të vitit 2025, liderët kishin përmendur Turqinë si nikoqire të takimit të vitit 2026, të pasuar nga Shqipëria. Megjithatë, në deklaratën e samitit të Ankarasë, të mbajtur në korrik të këtij viti, nuk u specifikua as data dhe as vendi i takimit të ardhshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali