Armando Sadiku është nderuar nga Federata Shqiptare e Futbollit para ndeshjes Shqipëri – Finlandë, në një ceremoni të veçantë lamtumire nga Kombëtarja kuqezi.
Sulmuesi shqiptar, i cili përfaqësoi Shqipërinë nga viti 2012 deri në vitin 2023, regjistroi gjithsej 39 paraqitje me fanellën kuqezi, duke realizuar 12 gola.
Megjithatë, emri i Sadikut do të mbetet përjetësisht i lidhur me Kampionatin Evropian të vitit 2016, ku shkroi historinë me golin e shënuar ndaj Rumanisë.
Ai realizoi golin që i dhuroi Shqipërisë fitoren e parë në një fazë finale të Kampionatit Evropian, një moment historik që mbetet ndër më të veçantët në historinë e futbollit shqiptar.
Për kontributin e dhënë ndër vite, Sadiku mori duartrokitjet e tifozëve kuqezi në stadiumin “Air Albania”, në një përshëndetje simbolike për karrierën e tij me Kombëtaren./Telegrafi/