
Opinionisti Labinot Balaj ka kritikuar partitë opozitare për mungesë të përballjes politike me pushtetin, duke vlerësuar se energjinë dhe angazhimin e tyre po e orientojnë më shumë drejt betejave të brendshme partiake.
Në një deklaratë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Balaj tha se një nga arsyet që po i krijon rehati pushtetit është pikërisht indiferenca e lidershipit opozitar dhe përfshirja e tij në përplasje brenda partive.
“Themeli i rahatisë së pushtetit nuk është vetëm vëllimi i aktivitetit të vetëqeverisës, as aritmetika e numrave që i sigurojnë pushtet e qëndrueshmëri, por është edhe kjo indiferencë ose kredhja e lidershipit të partive opozitare në luftëra meskine”, deklaroi Balaj.
Sipas tij, qasja e opozitës po e dëmton edhe skenën politike në Kosovë, pasi, sipas tij, vendit i nevojitet një opozitë e konsoliduar që do të ishte në gjendje ta sfidonte pushtetin.
“Më shumë i tërheq lufta, beteja brenda partisë sesa beteja me pushtetin. Ato betejën dhe energjinë e kanalizojnë në rrugë e qëllime të gabuara, që është lufta brenda llojit. Kjo e penalizon edhe Kosovën, me pas një opozitë solide e cila kish me sfidu pushtetin”, tha Balaj. /Klankosova.tv