Më shumë se 130 mijë raportime për probleme janë regjistruar në platformën Downdetector gjatë ndërprerjes së shërbimeve të Microsoft-it, e cila ka prekur përdoruesit e Outlook dhe Exchange Online në disa rajone të botës.
Problemet kanë bërë që shumë përdorues të mos kenë mundësi të hapin Outlook-un, të dërgojnë apo pranojnë email-e, si dhe të mbajnë një lidhje të qëndrueshme me “kutitë e tyre postare”.
Microsoft ka paralajmëruar se ndërprerja mund të prekë edhe shërbime të tjera, përfshirë Teams, SharePoint Online, Copilot 365 dhe Defender XDR.
Kompania ka bërë të ditur se shkaku i problemeve lidhet me ngarkesën e lartë në infrastrukturën e saj në disa rajone, ndërsa hetimet për përcaktimin e plotë të shkakut janë ende në vazhdim.
Për rikthimin e shërbimeve, Microsoft ka nisur rinisjen dhe riparimin e infrastrukturës së prekur, si dhe po shqyrton mundësinë e ridrejtimit të trafikut drejt infrastrukturave alternative.
Ndërkohë, kompania nuk ka dhënë ende një afat të saktë se kur të gjitha shërbimet do të rikthehen plotësisht në funksion. /Telegrafi/