
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në Prishtinë prurjen e re të Kombëtares, Lutfi Dalipi.
Futbollisti me origjinë nga Presheva dhe i lindur në Zvicër ka vendosur që ta veshë fanelën dardane, duke refuzuar kombëtare të tjera.
Për këtë, kreu i FFK-së është shprehur i lumtur me zgjedhjen e mesfushorit që luan te Vaduzi në Zvicër.
“Sonte, në aeroportin “Adem Jashari”, pata kënaqësinë ta mirëpres mesfushorin e talentuar me origjinë nga Lugina e Preshevës, Lutfi Dalipi, i cili ka vendosur që në të ardhmen ta përfaqësojë me krenari Kombëtaren e Kosovës. Është ndjenjë e veçantë kur futbollistë të talentuar, që kanë perspektivë të madhe, zgjedhin t’i besojnë projektit tonë dhe të veshin fanellën dardane.”, ka shkruar Ademi.
Ai ka thënë se Lutfi Dalipi po kalon një sezon shumë të mirë me Vaduzin, ku aktivizohet si i huazuar nga Young Boys.
Sipas Ademit, vendimi i tij për t’iu bashkuar Kosovës është një vlerë e shtuar për të ardhmen e Kombëtares së Kosovës.
“E falënderoj Lutfiun për besimin dhe zgjedhjen e bërë, ndërsa një falënderim i veçantë shkon për prindërit e tij, të cilët e kanë rritur me dashuri dhe krenari për rrënjët e tij dhe Kosovën.”, ka shkruar Ademi. /Klankosova.tv