Anija luftarake ruse goditet nga dronët ukrainas në Gjirin e Finlandës

Anija luftarake ruse goditet nga dronët ukrainas në Gjirin e Finlandës

Written by

in

Anija luftarake ruse goditet nga dronët ukrainas në Gjirin e Finlandës

Një anije luftarake ruse është sulmuar të mërkurën në Gjirin e Finlandës nga dronët ukrainas, kanë konfirmuar zyrtarët finlandezë, ndonëse ende dihen pak detaje për sulmin.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës ka bërë të ditur se shënjestër e sulmit ishte anija ruse “Naro-Fominsk”, në kuadër të një operacioni më të gjerë me dronë kundër depos ruse të eksportit të naftës në Ust-Luga, në bregdetin e Detit Baltik.

Ky sulm, që besohet të jetë hera e parë që dronët ukrainas godasin një anije ruse në një zonë të Detit Baltik të hapur për trafikun detar civil, ka ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e zgjerimit të operacioneve ukrainase në këtë rajon.

Finlanda, një nga aleatët më të afërt evropianë të Kievit, e ka cilësuar incidentin si pasojë të drejtpërdrejtë të luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës, transmeton klankosova.tv

Megjithatë, ushtria finlandeze ka dhënë pak detaje për sulmin, i cili dyshohet se ka ndodhur në një pjesë të ngushtë të gjirit, në një distancë nga bregdeti finlandez.

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, ka këmbëngulur se situata në Detin Baltik mbetet stabile dhe e sigurt, duke theksuar se nuk ka asnjë kërcënim për trafikun detar.

Ndërkohë, zyrtarët e mbrojtjes raportohet se i kanë tërhequr vëmendjen Kievit se Gjiri i Finlandës është një rrugë ujore relativisht e ngushtë, e përdorur nga cisternat e naftës dhe anijet civile, si dhe përmban kabllo nënujore të transmetimit të të dhënave.

Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Martin Herem, vendi i të cilit kufizohet me gjirin, i tha transmetuesit publik ERR se anija ishte goditur rreth orës 05:30 të mëngjesit të së mërkurës.

“Ne e dimë se më pas nga anija është parë tym. Vetë anija u kthye në drejtim të Shën Petersburgut”, deklaroi ai, pa dhënë detaje se si ishte kryer sulmi.

Sipas BBC, deri më tani, nuk dihet shkalla e dëmeve apo nëse ka pasur viktima në mesin e ekuipazhit të anijes luftarake ruse. Moska rrallëherë publikon detaje të tilla.