
I dërguari amerikan, Steve Witkoff, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord që përfaqësuesit evropianë të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Pas takimit me Putinin në Kremlin, Witkoff ka bërë të ditur se Evropa do të jetë pjesë e diskutimeve të ardhshme, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm.
“Evropianët do të bashkohen në takimin e radhës, të cilin e konsiderojmë një moment shumë të rëndësishëm, pasi ata janë partnerët tanë dhe është thelbësore për ne që të jenë të pranishëm”, ka deklaruar Witkoff për televizionin shtetëror rus.
Në takim ishte i pranishëm edhe Jared Kushner, i cili i tha Putinit se kishte vërejtur një “ndryshim të madh” te pala evropiane dhe shprehu besimin se përfshirja e saj nuk do ta pengojë përparimin e negociatave.
Nga ana tjetër, Putin pretendoi se Rusia nuk ka qenë kundër dialogut me Evropën, por se, sipas tij, ishin vendet evropiane ato që e ndërprenë komunikimin me Moskën.
“Do të dëshironim shumë që ju zotërinj, dhe administrata amerikane në tërësi, të punoni me aleatët tuaj evropianë, në mënyrë që ata më në fund të vendosin se çfarë duan: paqe apo luftë në Ukrainë”, citohet të ketë thënë presidenti rus.
Megjithatë, Putin paralajmëroi se dërgimi i trupave evropiane në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje do të çonte në rifillimin e menjëhershëm të luftës, pasi Moska do ta konsideronte këtë si kërcënim për sigurinë e saj.
Sipas Sky News, ende nuk dihet se kush do ta përfaqësojë Evropën në raundin e ardhshëm të bisedimeve, ndërsa as koha dhe as vendi i takimit nuk janë bërë të ditura.
Ndërkohë, SHBA-ja dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po kërkojnë që Evropa të caktojë një përfaqësues të vetëm për negociatat me Moskën.
Pas takimit në Kremlin, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do ta informojnë liderin ukrainas për bisedimet me Putinin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali