
Një ndërhyrje kirurgjike komplekse është realizuar me sukses në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri, ku një pacienteje në gjendje të rëndë shëndetësore i është larguar një tumor me peshë prej katër kilogramësh.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë spitali përmes një njoftimi në Facebook, ku thuhet se pacientja ishte përballur me këtë problem shëndetësor për rreth dy vjet.
Sipas njoftimit, ndërhyrja delikate është kryer me sukses falë angazhimit të ekipit mjekësor, ndërsa gjendja e pacientes pas operacionit është e mirë dhe stabile.
Në këtë intervenim morën pjesë gjinekologët-obstetër Mr. sc. Dr. Blerim Feka, Dr. Fatmire Melenica dhe Dr. Behije Ejupi, si dhe anesteziologu Dr. Rexhep Kovaçi.
Udhëheqësi i ndërhyrjes, Dr. Blerim Feka, ka shprehur mirënjohje për drejtorin e spitalit për mbështetjen dhe krijimin e kushteve të nevojshme për realizimin e operacioneve të tilla komplekse.
Spitali “Sheikh Zayed” e ka cilësuar këtë rast si dëshmi të përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve për pacientët.
Burimi: Insajderi