
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për koalicion në komunën e Shtimes, duke u pajtuar për ndarjen e pushtetit lokal.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetar i Degës së LDK-së në këtë komunë, Kastriot Shabani.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka treguar se palët kanë arritur një dakordim të përbashkët për ndarjen e katër drejtorive komunale dhe pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Sipas Shabanit, Kuvendit Komunal do t’i prijë LDK-ja, e cila do të udhëheqë edhe drejtoritë e Arsimit, Bujqësisë, Administratës, si dhe drejtorinë e Inspektoratit dhe Kadastrit.
“Kemi arritur në një konkluzion të përbashkët që ta ndajmë pushtetin në katër drejtori dhe ta kemi kryesuesin e Kuvendit. Kryesuesi i Kuvendit i takon LDK-së, drejtoria e Arsimit, drejtoria e Bujqësisë, drejtoria e Administratës dhe drejtoria e Inspektoratit dhe e Kadastrit”, ka deklaruar Shabani, mes tjerash.
Kryetari i LDK-së në Shtime tha se me LVV-në kanë një marrëveshje të shkruar, duke shpresuar se e njëjta do të zbatohet.
Shabani tha se ky koalicion është mirëpritur nga elektorati.
Ndër të tjera, ai tha se kanë autonomi brenda degës për vendime, por shtoi se e kanë njoftuar paraprakisht kryetarin Abdixhiku.
“E kemi informuar për marrëveshjen që do ta bëjmë, dhe në parim jemi dakord”, u shpreh ai.
Për më shumë: