
Një ilaç eksperimental që synon të mundësojë rigjenerimin e dhëmbëve te njerëzit ka hyrë në fazën e testimeve klinike, duke hapur mundësi të reja për trajtimin e humbjes së dhëmbëve.
Studimi po zhvillohet në Spitalin Universitar të Kiotos në Japoni, ku 30 burra të moshës 30 deri në 64 vjeç, të cilëve u mungon të paktën një dhëmb, po marrin ilaçin përmes infuzionit intravenoz.
Hulumtimi bazohet në një proteinë të quajtur USAG-1, e cila pengon zhvillimin e dhëmbëve të rinj. Ilaçi synon ta bllokojë veprimin e kësaj proteine, duke aktivizuar procesin e rigjenerimit të dhëmbëve.
Në testimet e mëparshme, të zhvilluara te minjtë dhe ferretët, bllokimi i kësaj proteine ka nxitur rritjen e dhëmbëve të rinj, rezultate që kanë inkurajuar studiuesit të vazhdojnë me provat te njerëzit.
Aktualisht, faza e parë e studimit është e përqendruar te siguria e ilaçit dhe vlerësimi i efekteve të tij. Nëse rezultatet janë pozitive, hulumtuesit synojnë që trajtimi të jetë i disponueshëm për pacientët deri në vitin 2030.
Nëse kjo teknologji arrin të dëshmojë efektivitetin e saj, në të ardhmen humbja e dhëmbëve mund të mos nënkuptojë më domosdoshmërisht nevojën për proteza apo implante, por mundësinë e rritjes së dhëmbëve të rinj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali