Dogana e Kosovës ka zhvilluar sot kontrolle në tri argjendari në qytetin e Prishtinës, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për luftimin e kontrabandës, parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e tregut.
Gjatë kontrolleve, në njërën prej argjendarive është zbuluar dhe konfiskuar një sasi prej 952,54 gramësh ari të përpunuar, me vlerë të përafërt prej 120 mijë eurosh. Për këtë rast janë ndërmarrë veprimet përkatëse, në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.
Ndërkohë, në një argjendari tjetër, zyrtarët kanë konstatuar praninë e rreth 5 kilogramëve ari të pashenjëzuar, përkatësisht pa vulat përkatëse të kontrollit dhe shenjëzimit.
Lidhur me këtë rast, Dogana e Kosovës ka njoftuar dhe ka kërkuar asistencën e Inspektoratit kompetent të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Inspektorët përkatës kanë marrë në trajtim sasinë e identifikuar të arit, me qëllim të kryerjes së procedurave të verifikimit dhe shenjëzimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme të metaleve të çmuara, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e konkurrencës së ndershme, mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e detyrimeve ligjore.
Sipas Doganës, kontrollet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të veprimtarive që cenojnë interesat ekonomike dhe fiskale të Republikës së Kosovës.
Burimi: Insajderi