Kompania amerikane Microsoft është përballur me një ndërprerje të gjerë të shërbimeve të saj, duke prekur mijëra përdorues në Shtetet e Bashkuara dhe rajonin Azi-Paqësor.
Sipas Reuters, ndërprerja ka prekur shërbime të rëndësishme, përfshirë Outlook, Teams dhe Copilot, ndërsa problemet kanë vazhduar edhe gjatë orarit të punës në disa vende të Azisë dhe Paqësorit.
Në mesin e institucioneve të prekura janë agjenci qeveritare në Australi, Japoni dhe SHBA, si dhe kompani të teknologjisë, përfshirë OpenAI dhe Anthropic.
Microsoft ka bërë të ditur se ka ndërmarrë disa ndërhyrje në serverët e prekur, por ato nuk kanë arritur të sigurojnë rikthimin e qëndrueshëm të shërbimeve. Kompania ka konfirmuar se në disa rajone është vërejtur rikuperim i pjesshëm.
“Po shqyrtojmë se çfarë veprimesh të tjera mund të ndërmarrim për të përmirësuar stabilitetin e përgjithshëm të infrastrukturës”, ka njoftuar Microsoft përmes një postimi në platformën X.
Sipas të dhënave të platformës Downdetector, e cila monitoron raportimet e përdoruesve për ndërprerjet e shërbimeve online, në kulmin e problemit janë regjistruar mbi 130 mijë raportime për probleme me Outlook në SHBA.
Microsoft ka sqaruar se ndërprerja ka prekur kryesisht funksionet e Microsoft 365 që varen nga Exchange Online, platforma e kompanisë për menaxhimin e postës elektronike, kalendarëve, kontakteve dhe detyrave. Ndërkohë, shërbimet që nuk varen nga kjo platformë kanë vazhduar të funksionojnë.
Kompania ka thënë se nuk ka të dhëna që ndërprerja të jetë shkaktuar nga ndonjë aktivitet keqdashës apo sulm kibernetik.
Edhe ministri australian për Çështjet e Brendshme dhe Sigurinë Kibernetike, Tony Burke, ka deklaruar se Microsoft nuk beson se bëhet fjalë për një sulm kibernetik.
Ai ka thënë se problemi duket të jetë i ngjashëm me atë të vitit 2024, kur një përditësim i gabuar i kompanisë CrowdStrike shkaktoi një nga ndërprerjet më të mëdha teknologjike në nivel global.
Ndërprerja e fundit ka shkaktuar probleme edhe për disa kompani të tjera. Kompanitë e inteligjencës artificiale OpenAI dhe Anthropic kanë raportuar vështirësi me lidhjet e tyre me shërbimet e Microsoft-it, ndërsa kompanitë ajrore indiane IndiGo dhe Akasa Air kanë njoftuar se janë prekur shërbimet e tyre të mbështetjes përmes postës elektronike.
Probleme janë raportuar edhe në sektorin financiar në Tajvan, ku disa kompani të sigurimeve dhe institucione të investimeve janë përballur me pengesa në aktivitetet e tyre.
Ndërkohë, prodhuesi amerikan i kamionëve elektrikë Workhorse Group ka shtyrë publikimin e rezultateve financiare për tremujorin e tretë, nga 12 nëntori në 16 nëntor, duke përmendur ndërprerjet në aktivitetet e biznesit të shkaktuara nga problemi global i Microsoft-it.
Kjo është ndërprerja e dytë e rëndësishme e shërbimeve Microsoft 365 gjatë këtij viti. Kompania ishte përballur me probleme të ngjashme edhe në janar, ndërsa një ndërprerje tjetër e platformës së saj cloud Azure, në tetor të vitit të kaluar, kishte prekur shërbime dhe industri të ndryshme në mbarë botën.
Burimi: Dukagjini
